Policia e Kosovës konfiskon mbi 170 pajisje për kriptovaluta në veri

schedule15:50 - 14 Prill, 2023

schedule 15:50 - 14 Prill, 2023

Policia e Kosovës ka konfiskuar 174 pajisje të paligjshme, që ishin përdorur për prodhimin e kriptovalutave, gjatë një aksioni në Zubin Potok.

Kështu bëri të ditur ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli përmes një postimi në rrjetet sociale.

“Mospagimi i faturave të energjisë elektrike ka inkurajuar aktivitetet e tilla të paligjshme. Për këtë Serbia bllokon zbatimin e Udhërrëfyesit për energjinë. Ne kemi përmbushur zotimet tona. Është koha që edhe pala tjetër urgjentisht të bëjë të njëjtën gjë”, ka shkruar ajo në Twitter.

Më herët gjatë ditës, ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, kishte konfirmuar aksionin e autoriteteve të vendit në veriun e banuar me shumicë serbe, por nuk kishte dhënë më shumë detaje.

Më 2022, kur Kosova u përball me krizë të energjisë, Qeveria e Kosovës ndaloi mihjen e kriptovalutave, proces që shpenzon shumë energji elektrike.

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!