Policia e Kosovës me anë të një deklarate zyrtare për shtyp ka konfirmuar se është huazuar gaz lotsjellës për Policinë shqiptare gjatë vitit të kaluar dhe se një gjë e tillë është bërë me miratimin e Ministrisë së Punëve të Brendshme të Kosovës që atë kohë drejtohej nga Ekrem Mustafa si dhe nga Ministria e Punëve të Jashtme që e drejtonte Behgjet Pacolli.
Mediat në Kosovë raportojnë se në deklaratë shkruhet se huazimi i gazit lotsjellës fillimisht është bazuar në Marrëveshjen e Bashkëpunimit mes dy institucioneve policore, si dhe mbi miratimin e dy ministrive kompetente, ajo e Punëve të Brendshme dhe e Punëve të Jashtme e Republikës së Kosovës.
Policia sqaron se “Mbi bazën e bashkëpunimit ndërinstitucional, me shtetet fqinje në këtë rast jo vetëm me Shqipërinë, Policia e Kosovës shkëmben personel policorë, patrullime dhe trajnime të përbashkëta si dhe pajisje logjistike sipas nevojës”.
Ndërkohë ish-ministri i Punëve të Jashtme të Kosovës, Behgjet Pacolli ka paralajmëruar padi ndaj ish-ambasadores së Kosovës në Itali, Alma Lame. Mediat kosovare raportojnë se me anë të një publikimi në profilin e tij në “Facebook”, Pacolli e konsideron Lamen një gënjeshtare.
Mbrëmjen e së hënës ish ambasadorja Lame shkruante në profilin e saj se Pacolli kishte premtuar se do të jepte 1 milion euro për tërmetin në Shqipëri, ndërkohë ka dërguar 500 granata helmi, gaz lotsjellës.
Çdo gjë ndodhi pas lajmit të publikuar nga websajti “Insajder”, ku shkruhej se gazit lotsjellës që u përdor kundër protestuesve në Shqipëri ishte marrë nga Policia e Kosovës. Më tej shkruhet se kjo ishte bërë me anë të një marrëveshjeje të nënshkruar mes drejtorit të Policisë së Kosovës, Rashit Qalaj dhe Ardi Veliut, drejtor i Policisë së Shqipërisë.
Sipas këtij lajmi, marrëveshja ishte nënshkruar për 500 granata me gaz lotsjellës.
Për këtë thuhet se ish-ministri i Punëve të Brendshme, Ekrem Mustafa kishte kërkuar firmën e Behgjet Pacollit.
Ndërkohë Bedri Elezi nga Instituti i Kosovës për Studime Ndërkombëtare, ka kërkuar dorëheqjen e Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë, Rashit Qalaj, për shkak të skandaleve në polici. Sipas Elezit me dorëheqjen e Qalajt që është i përfshirë edhe në skandalin me gazin lotsjellës, për të cilën raportoi “Insajderi”, do t’i hapeshin rrugë reformave në Policinë e Kosovës.
“Insajder” shkruan se për shkak të ndjeshmërisë, rregullat në blerjen e armëve për gazin lotsjellës janë specifike. Në momentin e kontraktimit, blerësi- Policia e Kosovës, nuk lejohet që t’ia huazojë dikujt tjetër. Është përdorues i fundit i armës dhe mban përgjegjësi se si e përdor atë. Mirëpo, ky rregull është thyer nga Rashit Qalaj, drejtor i Përgjithshëm i Policisë së Kosovës.
Ai ka vendosur që t’ia huzojë 500 granata me gaz Policisë së Shqipërisë. Ky vendim i tij, sipas burimeve të “Insajder”, ka ardhur pas presionit që atij i është bërë nga presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi./abcnews.al