Policia e Durrësit ka vënë në pranga 8 persona. Burime nga blutë bëjnë të ditur se një tjetër është shpallur në kërkim.
Të arrestuarit akuzohen për vepra të ndryshme penale si dhunë në familje, dhe drejtim mjeti në mënyrë të parregullt. Ndërkaq arrestimet janë bërë brenda pak orëve.
Njoftimi i policisë:
Arrestohen në flagrancë 8 shtetas, për vepra të ndryshme penale, si dhe shpallet në kërkim 1 tjetër.
Specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Shijak, në vijim të punës për parandalimin e vjedhjeve dhe sekuestrimin e sendeve të përfituara në mënyrë të paligjshme, gjatë kontrollit të ushtruar në një pikë skrapi në Maminas, gjetën dhe bllokuan 1 ton gëzhoja predhash, me vlerë 2 milion lekë të vjetra.
Në përfundim të veprimeve hetimore u arrestua në flagrancë shtetasi:
-R. Q., 30 vjeç, banues në Qerret, punonjës në pikën e skrapit.
Gjithashtu janë kryer veprimet nga ana e Policisë Ushtarake për shtetasin G. L., 32 vjeç, banues në Paskuqan, Tiranë, me detyrë punonjës në repartin ushtarak, Shijak, i cili i ka shitur shtetasit R. Q., gëzhojat e bllokuara.
—
Specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Durrës, në vijim të punës për parandalimin e dhunës në familje, arrestuan në flagrancë shtetasit:
-I. H., 53 vjeç, E. H., 23 vjeç, B. H., 25 vjeç, si dhe punohet për kapjen e shtetasit S. H., 33 vjeç, banues në fshatin Rrotull, Durrës.
Këta shtetas, në bashkëpunim me njëri-tjetrin, kanë ushtruar dhunë fizike dhe psikologjike ndaj dhëndrit të familjes dhe vëllait të tij, shtetasve E. H., 29 vjeç dhe E. H., 37 vjeç.
Gjithashtu u arrestua në flagrancë shtetasi E. B., 29 vjeç, banues në Durrës, pasi u kap në flagrancë nga shërbimet e Policisë, duke vjedhur biçikletën e shtetasit E. G.
Nga veprimet hetimore rezultoi se ky shtetas, dy ditë më parë, i ka vjedhur biçikletat shtetasve O. B., J. D., E. I.
—
Specialistët e Qarkullimit Rrugor në Drejtorinë Vendore të Policisë Durrës, në vijim të punës për parandalimin e aksidenteve dhe ndëshkimin e drejtuesve që drejtojnë mjetin në mënyrë të parregullt, arrestuan në flagrancë shtetasit:
-M. B., 25 vjeç, banues në Xhafzotaj, pasi u konstatua nga shërbimet e Policisë duke drejtuar motorin pa leje drejtimi dhe pa targë;
-B. M., 42 vjeç, banues në Shijak, pasi u konstatua nga shërbimet e Policisë duke drejtuar mjetin në gjendje të dehur;
-T. B., 27 vjeç, banues në fshatin Rubjekë, Durrës, pasi u konstatua nga shërbimet e Policisë duke drejtuar mjetin pa leje drejtimi;
Materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Durrës, për veprat penale “Përvetësim i parave ose mallrave që rrjedhin nga vepra penale ose veprimtaria kriminale”, “Dhuna në familje”, “Vjedhja” dhe “Drejtim mjeti në mënyrë të të parregullt”.
/abcnews.al