Policia e Burgjeve “e mbytur” nga problemet

schedule15:17 - 3 Nëntor, 2018

schedule 15:17 - 3 Nëntor, 2018

Avokati i Popullit ka nxjerrë një rekomandim me nëntë pika me qëllim përmirësimin e situatës së respektimit të të drejtave ligjore të Policisë së Burgjeve. Në dokumentin e firmosur nga Erinda Ballanca kërkohen masa urgjente nga pagesa dinjitoze e orëve shtesë, në pajisjen me uniforma të reja si dhe ndërmarrjen e ndryshimeve ligjore për trajtim financiar të barabartë të Policisë së Burgjeve me Policinë e Shtetit.

Një ankesë e firmosur nga disa punonjës të Policisë së Burgjeve dhe mandej interesimi i inspektorëve të Avokatit të Popullit ka konstatuar një mal me probleme në respektimin e të drejtave ligjore të policëve të burgjeve. Probleme këto që shkojnë nga mungesa e uniformave të reja prej 10 vitesh, tek moszbatimi i pikave të Kodit të Punës, mospagesa e orëve shtesë, mospërkthimi në pagesë i vjetërsisë në punë, si dhe mostrajtimi i barabartë ekonomiko-financiar me Policinë e Shtetit.

Për këtë shkak institucioni i Avokatit të Popullit ka dalë me një rekomandim me nëntë pika, zbatimi i të cilave do të shuante shqetësimet të mprehta të kësaj kategorie gjatë viteve të fundit. Në pikën e parë të rekomandimi të firmosur nga Erinda Ballanca kërkohet marrja e masave për kompesimin e orëve shtesë të kryera gjatë pushimit javor pse në festat zyrtare me pushim ose pagë të paktën 50% më të madh se orët shtesë të bëra ose paga normale.

Në vijim Avokati rekomandonte marrjen e masave për zbatimin e dispozitave ligjore të ligjit “Për Policinë e Burgjeve” me qëllim trajtimin e barabartë ekonomiko-financiar të punonjësve të Policisë së Burgjeve me punonjësit e Policisë së Shtetit. Rekomandimi i radhës ishte zbatimi rigoroz i Kodit të Punës dhe paraqitja e propozimeve ligjore në Këshillin e Ministrave të një projekt-ligji për t’i garantuar Policisë së Burgjeve të drejta si: mbrojtjen e veçantë ndaj atyre të cilëve iu kërcënohet jeta, familja dhe prona për shkak të detyrës; dhënien e kredive të buta për ata që janë të pastrehë, apo pagimin e qirasë kur janë emëruar jashtë vendbanimit.

Një nga shqetësimet e rekomanduara për zgjidhje ishte  marrja e masave për pajisje sa më të shpejtë të Policisë së Burgjeve me uniforma. Pikë të veçantë në rekomandim ishte edhe marrja e masave të nevojshme dhe bërjen e propozimit përkatës në qeveri për ndryshimin e strukturës organike të Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve me qëllim rritjen e numrit të punonjësve të Policisë së Burgjeve për të përballuar nivelin aktual të numrit të të burgosurve./abcnews.al