“Detyrim paraqitje” ka dhenë gjykata e Durrësit për efektivin e policisë Sherif Hajdari, i dyshuar për veprën penale “shkaktim i vetëvrasjes” së bashkëshortes së tij Merita Hajdari 47 vjeç. Trupi gjykues i kryesuar nga Petraq Curri e vlerësoi të ligjshëm arrestimin e tij në flagrancë.
Në sallën me dyer të mbyllura, 52-vjeçari Sherif Hajdari rrëfeu me lot atë çfarë ndodhi para se gruaja e tij t’i jepte fund jetës me armë zjarri.
“Debati degradoi me tone të ashpra dhe u zhvillua nën prezencën e familjarëve të tjerë. Ndoshta kjo preku sedrën e Meritës. Ajo u largua për pak nga oborri i shtëpisë ku ndodheshim, për t’u rikthyer me pistoletën në dorë. “Sapo e pashë bërtita mos, por ajo e vendosi në kokë dhe qëlloi vetën”- tha para trupi gjykues 52-vjeçari, i cili akuzohet për veprën penale “shkaktim i vetëvrasjes” të bashkëshortes së tij Merita Hajdari 47 vjeç.
Pasi dëgjoi akuzën dhe palën mbrojtëse, gjykatesi Petraq Curri e vlerësoi të ligjshëm arrestimin e tij në flagrancë.
Por vendosi të japë masën e sigurimit personal” detyrim paraqitje” të hënën e parë dhe të tretë të çdo muaji para oficerit të policisë gjyqësore përkatëse.
Ngjarja e rëndë ndodhi të hënën rreth orës 13:20 në lagjen nr. 7 të qytetit të Durrësit, brenda në banesën e çiftit Hajdari./abcnews.al