Polici përgjohej për disa muaj, zbulohen “pazaret” për proceset gjyqësore

schedule17:52 - 11 Korrik, 2018

schedule 17:52 - 11 Korrik, 2018

Hetimet për efektivin e policisë Haki Dyli, të përfshirë në akte korrupsioni, kishin nisur që në janar të këtij viti. Përgjimet e bisedave telefonike tregojnë shumë komunikime të tij me persona të tjerë, ku bëhen pazare, në këmbim të favoreve nga gjyqtarë të Gjykatës së Durrësit.

Efektivi i policisë Haki Dyli me detyrë trupë shërbimi në Gjykatën e Durrësit, i cili u prangos të martën nga uniformat blu, ishte nën hetim prej disa muajsh. Ai premtonte të ndërmjetësonte në emër të gjyqtarëve dhe prokurorëve për zgjidhjen e proceseve gjyqësore.

Shkak për fillimin e përgjimeve për Dylin ishte bërë një sinjalizim në polici i vetë kryetares së Gjykatës së Durrësit, Joana Qeleshi, më 30 Janar të këtij viti. Informacionet që kishin mbërritur tek ajo për implikimin e këtij efektive në këtë veprimtari korruptive, iu referuan policisë e më pas Prokurorisë së Durrësit që nisi hetimin.

Numri i telefonit të punonjësit të policisë u vu në përgjim si person në rolin e sekserit të mbetur në tentativë, ku sipas prokurorisë së Durrësit, doli edhe avokati Devis Qana.

Organi i akuzës thekson se Devis Qana dhe Haki Dyli zhvillojnë komunikime të shkurta e më pas takohen fizikisht për shkak së zyra e avokatit është pranë Gjykatës. Gjatë bisedës së regjistruar më datë 14 Prill 2018, pretendohet se një prokurore i ka kërkuar 2 mijë euro për të mbyllur një çështje.

B- Po Haki!

A- Hajde se kam një punë tepër urgjente!

B- Erdha erdha…

B- …ai ishte avokat apo sekser?!!

A- …mua më tha që do ja pushoj çështjen patjetër.

B- Mua më tha kështu…unë do ta mbyll çështjen brenda 2-3 vleftësim-ndalimi dhe caktimi masë sigurimi. Djalin do ta nxjerr të pafajshëm. Do t’u jap dhe një dokument që djali është i pafajshëm.

A – Kështu me tha dhe mua…

B- Donte 600 mijë lekë për vete dhe 2 mije euro Prokurorja…

Më herët më datë 7 Mars rreth orës 10 e 30 minuta, Haki Dyli zhvillon një bisedë telefonike me një person. Polici Dyli i kërkon bashkëfolësit 1 mijë euro, të cilat siç thotë ia kishte kërkuar djali i punonjësit të Gjykatës së Durrësit.

A – …erdhi sot urgjent ai zotëria.. tha pasnesër ke 1000 euro. Mirë i thashë dakord!

B – Erdhi sot urgjent eee?!

A – Po, ai i biri.

B – I biri?

A – E pra, nga Vlora.

B – Aaaa ku është aty?

A – Po erdhi e unë nuk e njofta fare i vajta i thash lëviz makinën që ktej, kur ai më tha mua nuk po më njeh!!…eee do vij pasnesër.

B – Ashtu tha?

A – Po…do vij vetë tha pasnesër e do të sjell tha gjysmat e lekëve, do ma bësh hallall tha se nuk kam pas mundësi e kam pas lakun në grykë tha…

Por në një rast tjetër, Haki Dyli tregohet më i kujdesshëm dhe flet me kode.

A – Përshëndetje

B – Përshëndetje, si je Haki mirë? Me kërkon ndonjëri aty te gjykata?

A – Jo të mora unë vete…..?

B – Po…

A – Tashi dëgjo mua se ndërmjetesit i kanë këto, kur bëhesh ndërmjetës…

B – Më thuaj….

A – I thuaj babit do t’i sjellë 150 unë dhe do t’ja vonoj një cikë atë qindëshen.

B – po mirë pa problem i them unë…”

Punonjësi i policisë Haki Dyli dhe avokati Devis Qana do të dalin të enjten për njohjen me masën e sigurisë në Gjykatën e Durrësit për veprën penale “Ushtrimi i ndikimit të paligjshëm ndaj personave që ushtrojnë funksione publike e kryer në bashkëpunim”./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!