Policët “rrëfehen” për krimin/ Shpërndahet formulari, u kërkon të vetëdeklarojnë lidhje me kriminelë

schedule17:16 - 9 Qershor, 2024

schedule 17:16 - 9 Qershor, 2024

Pas pyetjes nëse kanë një llogari në aplikacionin Sky Ecc, policët shqiptarë tani duhet të rrëfehen edhe për kontaktet me elemente kriminale. Efektivëve të policisë në të gjithë vendin ka nisur t’u shpërndahet një formular pyetësor përmes të cilit duhet të vetëdeklarojnë nese kanë pasur ndonjëherë kontakte me krimin e organizuar.

Afati për plotësimin e përgjigjeve nga rreth 13.500 punonjës të Policisë së Shtetit është data 30 qershor. Ashtu si në vetëdeklarimin për Sky Ecc, edhe tek ky formular, urdhri është i qartë, kush ka pasur kontakte me botën e krimit, apo kush do te verifikohet se nuk jep përgjigje te sakte do të përjashtohet nga radhët e uniformave blu.

Në dokumentin e siguruar nga ABC Neës, shihet se janë 8 pyetje te cilave duhet t’u përgjigjet çdo polic.

Pyetja 7 dhe 8, kërkon përgjigje nëse punonjësit e policisë shqiptare, kanë pasur kontakte të papërshtatshme ose çfarëdolloj mënyre tjetër takimi apo komunikimi, me persona të përfshirë në krim të organizuar dhe nëse kanë marrë apo dhënë para me këto personazhe.

Pavarësisht se në formularin e mëparshëm për përdorimin e SKY Eccc, asnjë efektiv nuk pranoi ta ketë përdorur, hetimet dhe përgjimet e SPAK kanë nxjerre disa policë të përfshire në bashkëbisedime në këtë aplikacion. Të fundit që ranë në rrjetën e SPAK pas zbërthimeve të bisedave në Sky Ecc, ishin Herigert Mitri, ish-drejtues i Policisë së Lezhës dhe efektivi Klodian Shahini, ish punonjës i policisë kufitare. Për të dy janë lëshuar urdhër arreste dhe janë shpallur në kërkim nga policia.

Ndër të tjera në këtë formular policët pyeten dhe duhet të përgjigjen nëse kanë qenë ndonjëherë të shpallur në kërkim ndërkombëtar, të hetuar, ndaluar apo proceduar nga autoritetet e huaja ose shqiptare si dhe nëse ka pasur ndonjëherë një mase shtrënguese ndaj tyre, të caktuar nga gjykata.

/abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!