Polic prej 46 vitesh, Gëzim Dema: Kam pasur momente që më kanë rrezikuar jetën

schedule20:07 - 2 Mars, 2024

schedule 20:07 - 2 Mars, 2024

Gezim Dema, është një ndër efektivët që ka shërbyer më gjatë në Policinë e Shtetit.

Uniformën e veshi në fillim të njëzetave dhe e hoqi ditën që doli në pension.

“Unë e kam pasur pasion punën e policisë, më ka pëlqyer. Kam arritur t’i shërbej Policisë së Shtetit, edhe në kohën e komunizmit, edhe në kohën e demokracisë, deri vitin që dola në pension, 2022.”

Profesionin e ka ushtruar në disa qytete, por më shumë vite ka shërbyer në Kurbin. Në 46 vite, Gëzim Dema ka përjetuar edhe momente të vështira.

Puna mes plumbave të ’97-ës i ka rrezikuar edhe jetën.

“Kam shkuar në 1997 në punë, nga Fushë Kruja mes plumbave, në Laç kam shkuar, kam ardhur dhe nuk kam pasur asnjë problem. Nuk kam cënuar njeri. Jam munduar gjithmonë të bëj detyrën.”

Ish efektivi nga Fushë Kruja, tregon se disa vite më parë u dëmtua gjatë punës dhe iu desh t’i nënshtrohej një operacioni.

“Në vitin 2017, kur ishin zgjedhjet lokale në Shkodër, isha caktuar në KZAZ Bushat, aty erdhën protestuesit dhe më rrëzuan nga shkallët. Pata dëmtim, u detyrova, u operova në Spitalin e Traumës.

Megjithatë vështirësitë nuk ia zbehën as pasionin dhe as përkushtimin. Për kontributin e dhënë është vlerësuar nga drejtuesit.

Prej dy vitesh Gëzim Dema ka dalë në pension. Puna i mungon por i gëzohet kohës se bollshme që kalon me familjen.

Me një eksperiencë gati gjysmë shekullore në polici, Dema i këshillon efektivët e rinj që ta ushtrojnë profesionin me korrektësi e maturi./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!