“Polemikat” e parlamentit gjatë sesionit të ri, temat e nxehta mes maxhorancës dhe opozitës

schedule15:58 - 3 Janar, 2022

schedule 15:58 - 3 Janar, 2022

Viti që sapo lamë pas u mbyll me një krye-akuzë dhe një politikan i arrestuar, Lefter Koka për 3.7 milionë euro për inceneratorët.

Kjo premtohet të jetë dhe kryetema e opozitës për sesionin e ri parlamentar.

Monika Kryemadhi ka deklaruar se do të hap të gjitha letrat dhe do të zbulohet e vërteta e asaj që ajo e quan mega aferë kriminale qeveritare me 3 inceneratorët.

Për korrupsion të lartë ka folur dhe Lulzim Basha, ndërsa e ka përmendur këtë çështje në pothuajse çdo dalje e tij.

Për inceneratorët do të vijojë dhe hetimi parlamentar që është planifikuar të mbyllet më 25 janar.

Por kjo nuk do të jetë e vetmja temë e politikës në Parlament.

Do të ketë dhe çështje që nuk i ndajnë por i bashkojnë forcat politike, siç është ajo e reformës së re zgjedhore.

Parimisht ka dakordësi mes maxhorancës dhe opozitës për ta bërë ligjin e ri elektoral pa pritur zgjedhjet e ardhshme, siç ndodh rëndomë.

Kjo dakordësi pritet që brenda javëve të para të sesionit të ri të konkludohet me ngritjen e Komisionit parlamentar dhe nisjen e punës.

Një tjetër reformë që kërkon konsensus dhe diskutime mes të dy palëve në parlament, është ajo e hartës së re territoriale.

PD e ka kërkuar, duke hedhur dhe disa propozime ndërsa PS e ka pranuar. Vetë kryeministri Rama ka pohuar nevojën për të pasur një ndarje të re administrativo-territoriale.

Masakra zgjedhore elektorale, siç i etiketoi PD-ja zgjedhjet e 25 prillit,  do të vijojë të jetë në Parlament, për aq kohë që Komisioni Hetimor do të arrijë në dokument final.

Në kalendarin e punimeve të Parlamentit është dhe pr.ligji i qeverisë, për Birësimet, një temë sensitive pasi prek familjen. /Abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!