Polemika të ashpra pas fitores së Juventusit ndaj Interit

schedule14:09 - 29 Prill, 2018

schedule 14:09 - 29 Prill, 2018

Polemika të ashpra pas derbit të Italisë mes Interit dhe Juventusit. Mediat akuzojnë arbitrin Orsato se u tregua i njëanshëm duke ndihmuar kampionët.

Momentet e dyshimta nuk munguan.

Nuk mungojnë në asnjë kampionat të botës, por këtu në Serinë A, për fat të keq, më shpesh jepen në favor të skuadrës që në fund shpallet kampione.

Juventusi triumfoi vërtet 3-2 në “San Siro” ndaj Interit dhe luajti mjaft mirë, veçse të paktën në dy çaste pati ndihmën e arbitrit Orsato.

Në minutën e 15-të, Vesino ndërhyri ashpër ndaj Manxhukiçit, dhe gjyqtari u mendua dy herë.

Nga i verdhi, kaloi tek i kuqi me ndihmën e teknologjisë, duke lënë Interin në dizavantazh numerik, ndërsa ishte edhe në dizavantazh me rezultat.

Gjykimi i “La Gazeta delo Sportit” ishte që vendimi i Orsatos për Vesinon ishte më i ashpër sesa duhej.

Momenti tjetër erdhi në pjesën e dytë, në minutën e 57-të, kur Miralem Pjaniç ndërhyri ndaj Rafinjës.

Boshnjaku e kishte një të verdhë, dhe nëse do të merrte të dytën, do të dilte nga fusha, kur rezultati ishte I barabartë 1-1.

Mediat italiane nuk është se e kursyen shumë gjyqtarin.

“La Gazeta delo Sport” titullon: Juve e pafund, Inter i tërbuar! Emocione dhe polemika në “San Siro”

“Il Korriere delo Sport” vlerëson juventinët si “Monstruozë”, por nuk ngurron të akuzojë Orsaton se shkatërroi ndeshjen, duke përjashtuar Vesinon e duke falur Pjaniçin.

Nuk mund të mungonte as kritika elegante e trajnerit interist, Luçiano Spaleti.

Spaleti: “Jemi të detyruar të pranojmë realitetin dhe pastaj të gjejmë se çfarë nuk shkoi mirë. Një humbje e rëndë për t’u pranuar, një barrë mbi shpatullat tona, sidomos pas një ndeshjeje të tillë. Në një anë është rezultati i ndeshjes, dhe nga ana tjetër janë episodet që e përcaktuan atë. Orsato është një gjyqtar shumë I mirë, por disa nga vendimet e tij nuk i kuptova, mund të them se nuk pati ekuilibër nga ana e tij në këtë ndeshje”.

Kolegu dhe rivali i tij, Masimiliano Alegri, foli, por si trajner i Juventusit.

Alegri: “Koha efektive në futbollin italian është rritur me 3 minuta falë VAR-it, dhe ne jemi më pranë nivelit më të lartë europian. Natyrisht, gjithnjë do të ketë momente të dyshimta. Arbitri gabon, por nëse ai vërshëllen, gjithçka merr fund. Për shembull, goli ynë I dytë, nëse nuk do të kishte qenë VAR-i mund të ishte quajtur I rregullt, por më pas arbitri me të drejtë e anuloi”.

Ndoshta do të kishte folur ndryshe po të kishte qenë në ndonjë stol tjetër. /abcnews.al