Polemika për ndryshimin e Kushtetutës/ Maqedoni e Veriut, VMRO-DPMNE kërkon zgjedhje të parakohshme

schedule19:41 - 20 Gusht, 2023

schedule 19:41 - 20 Gusht, 2023

Maqedonia e Veriut po përballet me një tjetër krizë politike. Ndryshimi i kushtetutës, ku duhet të përfshihet edhe pakica bullgare, si kusht për të vazhduar bisedimet me Bashkimin Evropian, ka ngjallur debate mes partisë në pushtet dhe opozitës.

Partia më e madhe opozitare, VMRO-DPMNE kërkon zgjedhje të parakohshme teksa e ka cilësuar si të papranueshme gatishmërinë e qeverisë për ta pranuar një gjë të tillë.

Sipas Vllado Misajllovski, deputet i VMRO-DPMNE-së, 80% e popullit nuk e pranon këtë zgjidhje edhe për këtë arsye duhet të shkohet në zgjedhje.

Partia më e madhe e opozitës maqedonase pretendon se partia në pushtet nuk mund të arrijë shifrat e nevojshme prej dy të tretës së ligjvënësve që do të votonin përfshirjen e pakicës bullgare në Preambulën e Kushtetutës.

Mirëpo, këto akuza janë hedhur poshtë nga partia në pushtet. LSDM-ja e akuzon VMRO-në për politika anti-evropiane, për shkak se ndryshimi i kushtetutës paraqet shansin e vetëm dhe të fundit për të vazhduar bisedimet për integrim në BE.

Edhe opozita shqiptare dëshiron zgjedhje të parakohshme, ndonëse ajo nuk e përjashton mundësinë e votimit të ndryshimeve kushtetuese./abcnews.al