Polemika pas incidenteve në përballjen Vllaznia-Tirana

schedule17:35 - 1 Shtator, 2019

schedule 17:35 - 1 Shtator, 2019

Derbi i Shqipërisë i luajtur të shtunën në Shkodër përveç lojës së fortë, pati edhe incidente.

Tifozëria vendase hodhi shishe në fushë aq sa ndeshja u ndërpre për disa minuta, ndërsa në në përfundim të saj u thyen edhe xhamat e autobusit të Tiranës. Kjo sjellje solli edhe reagimin e trajnerit të Vllaznisë, Mirsad Jonuz.

“Kam një mesazh për tifozët që të mbështesin Vllazninë, por jo të hedhin shishe në fushë, pasi është një problem për ekipin”.

Për klubin shkodran gjithçka erdhi pas gjykimit të Enea Jorgjit.

“Gjatë gjithë ndeshjes, sjellja arrogante e arbitrit ishte provokuese dhe në dëm të garës e rezultatit të saj, rezultat i cili nuk reflektoi atë që u tregua në fushën e blertë. Kjo jo vetëm acaroi futbollistët në fushën e lojës, por krijoi reaksion edhe tek tifozëria në shkallët e stadiumit”.

Një sfidë e fituar 2 – 0 nga Tirana që shkon në kuotën e 7 pikëve në 3 javë, por trajneri Ardian Mema kërkon më shumë gola.

“Nomalisht na pëlqen fitorja prej pikëve, patëm mundësi ta çonim lojën dhe 3 apo 4 – 0. Kjo më bezdisi disi, pasi duhet të luajmë thjeshtë”.

Mirsad Jonuz ka rezerva për gjykimin.

“Nuk prisja humbjen, pasi në pjesën e parë luajtëm shumë mirë dhe jam i sigurtë që na u mohua një penallti. E humbëm lojën me dy gabime, por ky është futbolli”.

Derbi i Shqipërisë u rikthye pas 2 vitesh për shkak se si Tirana dhe Vllaznia luajtën nga një sezon në Kategorinë e Parë./ABC News Albania 24/7

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!