Sërish polemika mes Presidentit francez Emmanuel Macron dhe ministrit të Brendshëm Italian Mateo Salvini, për sa i përket emigrantëve. Macron kritikoi Salvinin për mos pjesëmarrjen në samitin franko-gjerman në Paris. Samit që sipas Salvinit ishte një dështim i vërtetë pasi u bojkotua nga ministrat evropianë.
Presidenti francez Emmanuel Macron gjatë një konference për shtyp në Elize u shpreh se ishte i neveritur nga vendimi i disa politikanëve për të mos marrë pjesë në takimin për emigrantët të organizuar në Paris.
Ai u shpreh se nuk fitohet asgjë duke mos marrë pjesë. Një fjali që sipas mediave italiane i drejtohej ministrit të brendshëm Italian Mateo Salvini. Macron këmbënguli dhe njëherë në politikën e portit më të afërt, që nënkupton se një varkë apo anije me emigrantë e cila gjendet në ujërat ndërkombëtare duhet të ndalojë në portin më të afërt.
Macron theksoi se Franca do të ndjekë një politikë efikase që shkon në të njëjtën linjë me principet franceze duke mos lënë ngritjen e populistëve në asnjë vend.
Aktualisht janë 14 shtetet anëtare të Bashkimit Evropian të cilat kanë pranuar iniciativën franko – gjermane për solidaritetin evropian për rishpërndarjen e emigrantëve në Mesdhe. Macron u shpreh se në të ardhmen fondet evropiane duhet të lidhen me solidaritetin e çdo vendi.
Reagimi i ministrit të Brendshëm Italian Salvini ka qenë i menjëhershëm. Ai u shpreh se nuk pranonte urdhra nga Macron, dhe se takimi i Parisit ishte i gabuar në formë dhe thelb.
Më tej ai u shpreh se nëse Macron do të të fliste për emigrantët ishte i mirëpritur të shkonte në Itali. Samiti franko-gjerman në Paris ishte një dështim dhe u bojkotua nga ministrat evropianë, përfundoi Salvini./ABC News Albania 24/7