Pogradec, nënë e bijë mbyten në rezervuar

schedule18:29 - 6 Tetor, 2019

schedule 18:29 - 6 Tetor, 2019

Një ngjarje tragjike ka ndodhur pasditen e së dielës në fshatin Alarup të Pogradecit.  Një 10 vjeçare përfundoi aksidentalisht në një rezervuar uji duke u mbytur. Të njëjtin fat pati edhe nëna e saj që tentoi të shpëtonte të bijën.

Nënë e bijë u mbytën në rezervuarin e fshatit Alarup të Pogradecit. Ngjarja e rëndë ndodhi pasditen e së dielës.

Liri Mazelli ishte duke punuar në arë kur vajza e saj 10 vjeçe rrëshkiti në gropën me ujë të krijuar prej vetë familjes për vaditje. Kur ka parë të bijën në rrezik mbytje 35 vjeçarja është hedhur për ta shpëtuar por nuk ja doli dot.

Të dyja u mbytën në rezervuarin që shkonte deri në 3 metra thellësi. Liri Mazelli la jetime edhe tre fëmijë të tjerë. Njëra nga vajzat teksa po kërkonte nënën tek toka ku punonte ka konstatuar që ishte mbytur bashkë me motrën e saj.

Trupat e pajetë të viktimave janë nxjerrë nga vjehrri i 35 vjeçares ndërsa i shoqi punon jashtë vendit. Banorët të tronditur nga ngjarja tregojnë se gropa të tilla përdoren nga gjithë fermerët e zonës pasi mungon sistemi i ujitjes së tokave./ABC News Albania 24/7