Claudio Marchisio i dha fund para disa ditësh karrierës së tij të gjatë. Problemet fizike e detyruan të tërhiqet në moshën 33-vjeçare, edhe pse kishte shumë oferta në drejtim të tij.
Ish-mesfushori i Juventusit ka dhënë një prononcim për Daily Mail, aty ku zbulon idhujt e tij, analizon Premier League dhe komenton Aaron Ramsey, afrimin e bardhezinjve gjatë merkatos së verës, i cili ka zgjedhur numrin 8 që italiani mbante mbi supe.
Marchisio zbulon edhe një detaj interesant në lidhje me Paul Pogba. Francezi u bë pjesë e Juventusit në vitin 2012 dhe i surprizoi të gjithë me potencialin që zotëronte.
RAMSEY – “Fanella me numër 8 është në duar të sigurta. Ramsey është një futbollist fantastik. Dëshiroja që numri im t’i kalonte atij ose ndonjë lojtari që ka dalë nga moshat e Juves.”

PREMIER – “Ritmi dhe duelet fizike të ndeshjeve të kampionatit anglez më kanë tërhequr gjithmonë. Dy klubet e Manchesterit dhe Chelsea kanë tentuar të më transferonin, por Juventusi ka qenë gjithmonë prioriteti im.”
POGBA – “Mua dhe Pirlos na u deshën 15 minuta për të kuptuar se sa i fortë ishte ai. E dinim që do t’i zinte shumë shpejt vendin një titullari. Për fat, trajneri ‘shpiku’ një skemë ku mund të luanim të gjithë. Luanim unë, Pirlo, Pogba dhe Vidal. Ishte një mesfushë e jashtëzakonshme.”

IDHUJT – “Gerrard dhe Lampard ishin shumë lojtarë të fortë dhe simbole të padiskutueshëm të klubeve të tyre. I kam admiruar gjithmonë për karizmën, mjeshtrinë, aftësinë për të drejtuar, kurajon dhe lidhjen e madhe që kishin me fanellën.” /abcnews.al

