Plani ishte tjetër, por objektivi mbeti i njëjti. Tadej Pogaçar shkoi nga Sllovenia e tij në Kigali të Ruandës, në një largësi prej rreth 5 500 kilometrash, vetëm me një synim, të fitonte titullin botëror në çiklizëm.
Kampioni më i madh i çiklizmit në kohën tonë ia doli mbanë dhe mbrojti kurorën që e pronësoi vitin e kaluar.
Në një garë të vështirë, të gjatë 267.5 kilometra, Pogaçar jo vetëm arriti I pari në finish, por realizoi një triumf të vërtetë.
Në një moment apoteoze të çiklizmit, ai u shkëput kur kishin mbetur edhe 100 km, dhe pedaloi i vetëm për rreth 70 km duke I lënë prapa të gjithë rivalët.
Koha e fituesit ishte 6h21’20”, ndërsa belgu Remko Evenepël, gjithashtu një pretendent serioz për trofeun, arriti në cak me 1’28” vonesë.
I treti irlandezi Ben Hili me mbi 2 minuta më tepër se slloveni.
Gjithsesi, konkurrimi I Evenepëlit mori goditje të rëndë kur iu dëmtua shala e biçikletës dhe mekanikët u vonuan ta ndërronin.
Pogaçar ia shton këtë sukses Turit të Francës të fituar sërish këtë vit, ndërsa gjithsej ka fituar 8 gara të mëdha, bashkë me Kriterium dë Dofen, Turin e Emirateve të Bashkuara Arabe, Turin e Flandrës, Liezh-Bastonjë-Liezh, Strade Bianke dhe La Fleshë dë Valonë.
Kampioni i botës padyshim që ishte i lumtur.
“E kam synuar këtë fitore që pas suksesit të vitit të kaluar. Pas Turit të Francës unë arrita të pushoj mirë dhe tani jam shumë I lumtur që e mbajta sërish këtë fanelë të mrekullueshme. Ishte e veçantë që garova këtu në Afrikë. Një udhëtim i gjatë. Ishte një përvojë shumë e bukur. Ne nuk kishim plan për të sulmuar kaq herët. Të gjithë shokët me përvojë në skuadër më thanë që të mos shkëputesha, por unë po ndihesha mirë. Isha në formë, ndaj edhe mendova se ishte gjëja më e mirë që ta provoja, por nuk mendoja se do të pedaloja për kaq kohë I vetëm”.
Në moshën 27-vjeçare ai numëron dy tituj botërorë, 4 Ture të Francës, një Xhiro të Italisë, dhe 41 tituj gjithsej, duke u krahasuar tashmë me më të madhin e çiklizmit, Edi Merks.
I mbetet vetëm Vuelta e Spanjës ndër klasiket e mëdha, që ndoshta do ta synojë vitin e ardhshëm

