Nuk i pëlqen krahasimet me “kanibalin”. Të shumtë janë ata që po e quajnë Tadej Pogaçarin si një “Edi Merks” të ri, e ndoshta që guxojnë edhe të blasfemojnë se është më I miri I historisë në çiklizëm.
Vetë numri 1 i këtij sporti në botë nuk ka dëshirë të shpenzojë kohën me diskutime të tilla, por mendon vetëm që të fitojë. Triumfi i tij në Xhiron e Lombardisë ishte i pesti radhazi, që është një rekord.
Po ashtu, 5 sukseset janë barazim i legjendës italiane, Fausto Kopi, që gjithashtu ka fituar 5, ndërsa ylli nga Sllovenia përfundoi vitin në mënyrën më të jashtëzakonshme të mundshme.
Në atë që cilësohet si “Botërori i Vjeshtës”, apo Klasikja e gjetheve që bien, ai la prapa rivalët dhe fitoi me diferencë prej 1’48” ndaj kundërshtarit më të fortë, Remko Evenepël nga Belgjika.
Itinerari ishte 241 km, nga Komo në Bergamo, dhe Pogaçar e përshkroi për 5h45’53” me mesatare rreth 42 km në orë. Çiklisti 27-vjeçar nisi shkëputjen 36.6 km nga finishi, pikërisht në Qafën Malore të Gandës për të mos u arritur më.
Tashmë, Tadej është I pari që në 50 vjet, që nga koha e Merksit, që në një vit fiton 3 nga 5 garat ditore që cilësohen “Monumentet”, dhe që janë Klasiket kryesore të këtij sporti, pasi triumfoi edhe në Turin e Flandrës dhe në Liezh-Bastonjë-Liezh.
Këtë sezon ai ka 17 fitore dhe në karrierë 108, ndërsa në 2025 ka fituar edhe Turin e Francës, edhe Kampionatin Botëror, edhe Kampionatin Europian./abcnews.al

