“Blutë” e Chelsea arritën një fitore të madhe, mbrëmjen e së hënës, që sapo lamë pas, teksa në “Tottenham Stadium” mundën me “poker” vendasit e Spurs, një përballje tejet të luftuar, ku përveç golave të shumtë të anulluar me sistemin “VAR”, pati dhe 2 kartona të kuq, në dëm të skuadrës së Tottenham, duke i lënë këta të fundit me 9 lojtarë në fushën e blertë.
Përveç teknikut të Tottenham, Ange Postecoglu, për mediat disa fjalë pas ndeshjes i tha edhe tekniku i Chelsea, Mauricio Pochettino, i cili më herët në karrierën e tij ka qenë “numri 1” i pankinës së Spurs, teksa i çoi këta të fundit deri në finalen e UEFA Champions League, në vitin 2019. Përveç rikthimit në “shtëpi”, Pochettino doli haptazi kundër Postecoglu-së, teksa u shpreh se pavarësisht se nuk është dakord me sistemin “VAR”, e mbështet.
“Një ekip fitoi, tjetri humbi. Ne donim të mbërrinte teknologjia dhe tani nuk mund të ankohemi. Kur mbërrita këtu thashë që nuk jam dakord me VAR-in, por tani e mbështes. Duhet të gjejmë rrugën e duhur për ta përdorur. Sot luajtëm 110 apo 120 minuta. Nuk e di nëse tani është ora 1 apo 2 e mëngjesit. Ky është futbolli që donim, pak trajnerë ranë dakord dhe gjetja e një ekuilibri është vërtet e vështirë, por të gjithë duhet ta ndihmojmë njëri-tjetrin për të përmirësuar lojën.
Ndihem shumë më mirë tani, pas katër vitesh pata mundësinë të kthehem dhe të shoh të gjithë stafin dhe njerëzit me të cilët nuk u kisha thënë lamtumirë. Fitorja është një dhuratë për ne. Është shumë emocionuese, por në të njëjtën kohë mendoj se kujtimet janë “nën lëkurën” tënde. Ishte një ndeshje emocionuese dhe shumë e ekuilibruar. Për të qenë i sinqertë, këto tre pikë janë shumë të rëndësishme për ne. Ishte një ditë fantastike”,- u shpreh tekniku argjentinas. /i.m /abcnews.al