Skënderbeu është një nga ekipet që e ka ndalur Tiranën nën drejtimin e Emanuel Egbo. Nigeriani, gjithsesi nuk e sheh si problem diçka të tillë dhe kështu u shpreh në daljen e tij për mediat. “Nuk e di çfarë problemesh na ka hapur Skënderbeu.
Është thjesht një ndeshje që e kemi barazuar. Nuk e shoh si problem. Kjo është një ndeshje si të tjerat. E dimë se si luan Skënderbeu. Do e shohim se si e kemi përgatitur ndeshjen. Nuk i diskutojmë jashtë ekipit këto gjëra”, tha Egbo fillimisht.
I pyetur nëse ndikon fakti që Tirana luan pasi ta ketë mësuar rezultatin e ndeshjes së Kukësit, nigeriani tha: “Nuk na vë në presion. Te merremi me ndeshjet tona, të mos e kemi mendjen te rivalët. Po fituam ndeshjet tona, nuk është aspak problem.
Janë edhe 6 ndeshje, nuk e shoh diferencën e pikëve. I marrim ndeshjet njëra pas tjetrës. Mendoj vetëm për Skënderbeun. Ky është principi im. Ju mund të pyesni si të doni, por unë kështu e shoh. Shkallët i marr një e nga një”.
Shpesh ka pasur diskutime mbi meritat e Egbo në ecurinë e Tiranës dhe normalisht trajneri nuk është ndjerë mirë kur i është vënë në dyshim puna e bërë. I ngacmuar sërish për këtë çështje, Egbo shton: “Ndoshta ju po talleni. Është e palogjikshme të diskutohet.
Unë nuk duhet të merrem me këtë, nuk ka logjikë. E kam thënë që nuk kam koment. Kam shumë punë për t’u marrë me ekipin. Duhet të mos merrem me thashetheme”. Më pas ai foli në lidhje me të ardhmen dhe sërish mundohet të devijojë.
“Kur të mbaroj kampionati do të shoh. Egbo vendos çfarë do të bëjë kur të mbarojë. Fokusi im janë ndeshjet. Gjërat që ndodhin brenda familjes nuk dalin jashtë. Jam i qetë, le të mbarojë kampionati. I gjithë fokusi është aty”, tha trajneri i bardhebluve.
Në fund, i pyetur në lidhje me lodhjen për shkak të ndeshjeve të shpeshta, Egbo deklaroi: “Kemi lojtarë për ta përballuar. Pushuan disa lojtarë në Kupë. Çdo lojtar është titullar, mund ta aktivizoj kurdo. Mungon Hoxhallari, do të shohim gjendjen e lojtarëve për të vendosur se kush luan në vend të tij”. /abcnews.al