“Po sorollatemi”, drejtuesit e mjeteve lundruese vijojnë protestën: Na i kanë bllokuar në mënyrë të paligjshme

schedule13:30 - 11 Gusht, 2022

schedule 13:30 - 11 Gusht, 2022

Vijon protesta e pronarëve të mjeteve lundruese në Sarandë pas vendimit të Policisë Kufitare për tia bllokuar Jet Ski-të dhe Skafet.

Vendimi erdhi menjëherë pas tragjedisë së Himarës, më 2 gusht ku humbi jetën Jonada Avdia. Vogëlushja 7-vjeçare u vra pasi u godit nga skafi i drejtuar nga policia Arjan Tase në plazhin e Potamit.

Mirëpo drejtuesit e mjeteve lundruese e kanë cilësuar të padrejtë vendimin për të bllokuar të gjitha mjete, pasi sipas tyre ata disponojnë dokumentacion të rregullt dhe paguajnë taksa. Ata kanë paralajmëruar se nëse nuk marrin një zgjidhje brenda ditës së nesërme, do të dalin në det të hapur, sipas ligjit dhe kontratave që disponojnë.

“Po sorollatemi prej 10 ditësh, vijmë çdo ditë këtu dhe kërkojmë një zgjidhje nga komisariati i kufirit. Na kanë pezulluar në mënyrë të paligjshme. Dokumentacionet i kemi të sakta, të gjithë pronarët e mjeteve. Nuk dalin as të na japin përgjigje edhe pse e dinë se ky pezullim është i paligjshëm. Nuk ka arsye të na pezullojnë. Ne erdhëm të njoftojmë komisariatin e kufirit që nesër, sipas dokumenteve që na kanë dhënë institucionet, do t’i hedhim brenda sipas ligjit. Nëse këta vijnë nga dhunojnë dhe na gjobisin ne do ta çojmë çështjen në Prokurori dhe në Gjykatë.”

“Ne kemi paguar taksat. Nëse ju nuk jeni të aftë të na lini në ujë, të na siguroni infrastrukturën, na ktheni lekët dhe taksa. Keni afat edhe 1 ose 2 ditë. Nesër jemi në ujë. Jepini drejtim kësaj çështjeje.”

Më 2 gusht 2022 Arjan Tase goditi me skaf Jonada Avdian, vogëlushen 7-vjeçare e cila po lahej në breg të detit me të atin. E mitura mori plagë të shumta dhe vdiq në vendin e ngjarjes.

Kjo nuk është hera e parë gjatë këtij sezoni veror që ka pasur persona të plagosur si pasojë e mjeteve lundruese që humbin kontrollin. Manovrat e rrezikshme disa here u kanë rrezikuar jetën pushuesve, siç ka ndodhur në Jalë, ku drejtuesi i një skafi Gjergj Priftuli aksidentoi një çift pushuesish.

Për disa javë, njëri prej pushuesve mori trajtim në spitalin e Traumës pasi ishte në gjendje të rëndë. Aktualisht të dy janë jashtë rrezikut për jetën. Një tjetër rast i rëndë ndodhi në plazhin e Jonufrës, ku një 40-vjeçar duke drejtuar një mjet lundrues tip gomone dëmtoi një fëmijë 7-vjeçar që ishte duke notuar në afërsi të bregut. Fatmirësisht ishte jashtë rrezikut për jetën.

/Abcnews.al/