Muhamet Hamiti, ish-këshilltari i presidentit Ibrahim Rugova, në një intervistë për emisionin “Ballkan Update” me gazetaren Linda Karadaku, u shpreh se qeveria Kurti me veprimet e pakoordinuara ka përkeqësuar marrëdhënien me SHBA-të, BE-në dhe me Shqipërinë.
Hamiti shtoi se qeveria ka izoluar dhe ka përkeqësuar imazhin e Kosovës dhe se ata që e pësojnë nga papërgjegjshmëria janë vetë qytetarët. Siç shtoi ai, me vendosjen e masave ndëshkuese ndaj Kosovës, qeveria po përpiqet të “sheqerosë” faktin duke thënë se masat janë të përkohshme.
“Sanksionet kanë nisur tashmë. Po përmendet kjo pako e re e BE-së të natyrës ekonomike dhe politike, pezullimi i fondeve të ndihmës nga BE, pezullimi i takimeve politike, pezullimi i grupeve të punës për marrëveshjen e stabilizim-asociimit. Qeveria përmes ministrisë së jashtme po përpiqet ta sheqerosë këtë lajm, duke thënë se është pezullim i përkohshëm. Është i përkohshëm por pa afat dhe për fajin e kësaj qeverise sepse po ndëshkohet dhe për rrjedhojë po e pëson Kosova për shkak të veprimeve të pamenduara, të politikave të pakoordinuara. Tani që po ndodhin këto sanksione po përpiqen t’’i sheqerosin se janë të përkohshme. Me gjasë i vetmi sukses i kësaj qeverie në pjesën e mbetur të këtij mandati mund të jetë heqja e pezullimit të sanksioneve. S’kanë bërë gjë në rrafsh ekponomik, kulturë apo arsim.”, theksoi Hamiti.
Ai shtoi se qytetarët që i kanë dhënë votën Albin Kurtit duhet të kuptojnë se kanë zgjedhur një qeveri të papërgjegjshme.
“Aty ku preku në marrëveshje, sidomos të Brukselit dhe të Ohrit, e bëri më keq. Në dialog me një palë tjetër, me Serbinë që nuk është miqësore, me përkrahjen e SHBA dhe BE-së ia kemi dalë të bëjmë përparime. Tani po shkojmë pas. Kjo qeveri nuk do ta pranojë realitetin. Sanksionet kanë nisur më herët, FSK parashihej të merrte pjesë në një stërvitje të madhe të NATO-s, u përjashtua para një muaji për shkak të veprimeve të njëanshme të qeverisë Kurti që kanë rrezikuar ushtarët e KFOR-it dhe amerikanë. Besoj që ka ardhur koha që populli i Kosovës dhe votuesit e Vetëvendosjes që kanë zgjedhur një qeveri të papërgjegjshme që propagandonte ndryshimin. A ka ndodhur ndryshim? Po, për herë të parë Kosova ka sanksione.“, shtoi ai./abcnews.al