Po shijonte muajin e mjaltit, ekzekutohet me 2 plumba prokurori, “simbol” i luftës kundër drogës

schedule08:41 - 12 Maj, 2022

schedule 08:41 - 12 Maj, 2022

Marcelo Pecci, një prokuror paraguaian i angazhuar në luftën kundër trafikut të drogës është ekzekutuar ndërsa ishte në muajin e mjaltit në një ishull kolumbian të Karaibeve.

Autorët u larguan nga deti sipas policisë.

Presidenti i Paraguait e quajti krimin si një “vrasje frikacake”.

Pecci, 45 vjeç, u qëllua 2 herë teksa po pushonte në një plazh në ishullin turistik Baru, sipas gruas së tij, Claudia Aguilera.

Çifti u martua më 30 prill në Kartagjena.

“Dy burra sulmuan Marcelon. Ata erdhën nga deti me një varkë të vogël, ose me një ski jet, e vërteta është se nuk e pashë mirë,” tha Aguilera për gazetën El Tiempo.

Një nga sulmuesit doli dhe “pa fjalë qëlloi dy herë Marcelon, një plumb e goditi në fytyrë dhe një tjetër në trup”, tha ajo.

Aguilera, e cila është shtatzënë, tha se burri i saj nuk kishte marrë asnjë kërcënim më parë.

Postimi i fundit në llogarinë e Aguilera-s në Instagram të martën tregoi një çift të përqafuar në një plazh dhe një palë këpucë për fëmijë në plan të parë në atë që dukej se ishte një njoftim shtatzënie.

Motivi i vrasjes nuk u bë i ditur menjëherë, por prokurori paraguaian Augusto Salas, një koleg i Pecci-t, tha se sulmi dukej “tipik i mafies së drogës”.

Shefi i policisë kolumbiane Jorge Luis Vargas tha se pesë hetues të vrasjeve janë dërguar në Baru dhe do të marrin mbështetje nga ekspertë paraguaianë dhe amerikanë.

“Ka informacion që po mblidhet që do të na ndihmojë të identifikojmë përgjegjësit,” tha Vargas.

Të martën vonë, policia kolumbiane publikoi një foto të një prej sulmuesve të supozuar, i veshur me pantallona të shkurtra të zeza dhe një kapele bezhë.

Kolumbia, prodhuesi më i madh në botë i kokainës, po përballet me një valë dhune pavarësisht nga një marrëveshje paqeje e vitit 2016 që çarmatosi grupin gueril FARC dhe i dha fund një konflikti civil gati gjashtë dekadash. Nga ana e tij, Paraguai pa dalje në det, i vendosur midis Brazilit, Bolivisë dhe Argjentinës, është bërë një pikënisje e rëndësishme për drogën që shkon drejt Evropës.

Paraguai dhe Kolumbia kanë forcuar kohët e fundit aleancën e tyre në luftën kundër krimit të organizuar dhe atë ndërkufitar./abcnews.al/