Në Kryeministri po mbahet këtë pasdite mbledhja e dytë e Komitetit Kombëtar të Rindërtimit. Në fjalën e tij, kreu i qeverisë, Edi Rama u shpreh se brenda 16 dhjetorit do të jetë gati raporti paraprak i dëmeve të tërmetit të 26 nëntorit dhe i plotë në janar.
“Nuk ka një raport paraprak të dëmeve, një grup po punon. Raporti i parë paraprak synohet të paraqitet më 16 dhjetor, por edhe çfarë na u tha nga partnerët, raportet post-katastrofë kërkojnë kohë. Do ketë një raport paraprak, një raport të dytë dhe pastaj një raport të plotë besoj në janar, për t’u hapur rrugë donacioneve”, tha Rama.
Po ashtu kryeministri u shpreh se po përgatitet ligji i posaçëm i rindërtimit.
“Besoj në mbledhjen e ardhshme, pas një jave, mund ta prezantojmë. Po përgatitet ligji i posaçëm për rindërtimit, që ka për qëllim të krijojë një kuadër ekskluziv për të gjitha aspektet që kanë të bëjnë me rindërtimin. Një grup pune po merret me këtë non-stop dhe një draft të parë e kemi gati”, tha kryeministri, i cili shtoi më pas se do të bëhet edhe ndarja e organizatave.
“Ne mund të bëjmë edhe një ndarje me tre organizatat e mëdha që të mos shpërndahen. Kur te vija puna e planeve më të mëdha le të përfshihen. Fundjava mund të plotësojë Tiranën, “Shqiptarët për shqiptarët” Krujë dhe Fushë Krujë dhe zona e Laçit, pastaj Marini, Durrësin dhe Lezhën. Kështu kemi një hartëzim”, tha ai.
Ndërkaq, në fjalën e tij kryeministri tha po ashtu se ndërtuesit shqiptarë duhet të japin 3% të sipërfaqes për nevoja sociale./abcnews.al