Po organizonte sulm me raketa në Kiev, arrestohet spiuni rus

schedule12:18 - 17 Gusht, 2023

schedule 12:18 - 17 Gusht, 2023

Operacioni i Shërbimit të Sigurisë së Ukrainës mbi spiunët rusë, që mbledhin informacione për llogari të Kremlinit dhe përgatisin sulme, ka përfunduar me sukses.

Sipas një njoftimit nga Shërbimi i Sigurisë së Ukrainës, pas dy grave të arrestuara javën e fundit, në Kiev është vënë po ashtu në pranga një agjent rus. SBU sqaron se ai është vënë në pranga nën dyshimin se kishte përgatitur një sulm me raketa në Kiev.

I dyshuari 23-vjeçar punonte për drejtorinë kryesore të forcave të armatosura të Rusisë dhe kishte kërkuar vendndodhjet e forcave të mbrojtjes të Ukrainës në rajonin e kryeqytetit.

Sipas hetuesve ukrainas, i riu kishte shfaqur interes të dyshimtë edhe për bazat e mirëmbajtjes ushtarake të Ukrainës dhe mblidhte informacione për nënstacionet e energjisë në Kiev.

Ai është kapur në flagrancë duke filmuar një bazë ushtarake dhe duke ngarkuar koordinatat e saj në GPS, në një hartë elektronike.

Sipas SBU-së ai jeton në Odesa dhe paguhej nga inteligjenca ushtarake ruse. 23-vjeçarit iu gjet një laptop dhe celular me prova të aktivitetit të tij kundër Ukrainës gjatë kontrollit në shtëpi.

Zyrtarët thanë se i dyshuari është në paraburgim dhe rrezikon një dënim me burgim të përjetshëm.

/abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!