Kreu i PD, Lulzim Basha ndodhet sot në Rrogozhinë. Kryedemokrati ka zhvilluar takime me fermerët të cilët tregtojnë produktet e tyre në tregun Agro-Ushqimor.
Gjatë bashkëbisedimit tregtarët i janë ankuar Bashës se nuk janë ndihmuar nga qeveria gjatë situatës së Pandemisë.
“Po i rris fëmijët rrugëve. Jam e sëmurë, nuk kam marrë asnjë ndihmë. Nuk kam një thes miell. Kam kaluar ne depresion dhe nuk më përfillin”, tha e revoltuar një prej tregtareve Bashës.
“Vij një ditë në javë për të shitur. Burrin e kam pa punë. Fëmijën të sëmurë. Nuk e dimë ku të vemi vetëm po të drejtohemi në Shkumbin. Nuk kam marrë asnjë lloj ndihme”, shprehet një tjetër tregtare.
Ndërkaq, kreu i PDu shpreh se konsumi ka rënë në zero dhe se gjendja e fermerëve është po aq e keqe sa ajo e bizneseve. Sipas tij mënyra e vetme për të dalë nga kjo është vota e qytetarëve.
“Jam në tregun e Rrogozhinës në këtë lidhje të drejtpërdrejtë. Gjendja e fermerëve është po aq e keqe sa gjendja e bizneseve. Konsumi ka rënë në zero. Rrinë këtu me orë të tëra. Askush nuk ka marrë ndihmë. Ky është realiteti, përpara kam kilometra me tezga, gjysmën e tyre do e groposin sepse nuk shiten. Ndaj bredhjet dhe propaganda e qeveris nuk mund të fshehë dështimin. E keqja po vazhdon të thellohet. Vetëm te TK duan të harxhojnë 30 milion euro. E kanë mendjen vetëm të zhvasin dhe të grabisin. Kjo është një Shqipëri e robëruar. Shpëtimi i vetëm është që ju me votën tuaj ti drejtohemi kutive dhe t’i japim fund kësaj të keqje. Kjo situatë duhet të marrë fund”, deklaroi kryedemokrati Basha. /abcnews.al