“Po hetojmë denoncimet”/ Policia gati për zgjedhje, mbi 7 mijë efektivë janë trajnuar

schedule19:51 - 12 Maj, 2023

schedule 19:51 - 12 Maj, 2023

Policia e Shtetit publikoi masat e marra për zgjedhjet vendore të 14 majit, ku efektivët dalin në dalin në gadishmëri të përforcuar që prej orës 18:00 të kësaj të premte e deri në përfundim të procesit zgjedhor.

Drejtori për Rendin dhe Sigurinë Publike, Rebani Jaupi foli për arrestimin e kandidatit të koalicionit Bashkë Fitojmë për Himarën, Fredi belerit, si dhe rastet e tjera që po hetohen për shit blerje votash.

“Ka një procedim nga prokuroria e Vlorës. Policia e Shtetit, me qëllim parandalimin dhe goditjen e krimeve zgjedhore, përsa i përket tentativës për shit-blerje të votës, bazuar në informacionet e siguruara nga shërbimet e Policisë në terren, si dhe në përmbushje të detyrimeve ligjore të përcaktuara në Kodin Zgjedhor, ka iniciuar hetime proaktive, të cilat po kryhen në drejtimin e prokurorive të rretheve gjyqësore dhe të Prokurorisë së Posaçme kundër Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit. Gjithashtu, strukturat e Policisë në Has, Kavajë, Patos, Kukës dhe Durrës,  në bashkëpunim me prokuroritë respektive, kanë trajtuar dhe aktualisht kanë në hetim, denoncime nga subjekte të ndryshme, për çështje që lidhen me procesin zgjedhor”, theksoi Jaupi.

Që prej muajit shkurt janë trajnuar edhe në bashkëpunim me OSCE/ODIHR 7530 punonjës policie, të cilët do të angazhohen me detyra gjatë procesit zgjedhor, sipas niveleve të menaxhimit policor, që nga niveli bazë. Mbi 5 mijë prej tyre do të angazhohen për ruajtjen e materialeve zgjedhore në 5211 qendra votimi, 92 KZAZ dhe 92 VNV.

Në zbatim të kërkesave të Kodit Zgjedhor, brenda afatit të përcaktuar, më datë 03.05.2023, Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Shtetit dërgoi në KQZ, listën me 5511 punonjës policie që do të angazhohen për ruajtjen e objekteve zgjedhore në të gjithë Shqipërinë, të cilët do të ndërhyjnë në rast se kërkohet nga komisionet zgjedhore apo nga KQZ-ja”, nënvizoi ai.

Oficerët e policisë do të jenë të pajisur me nga një kopje të librit të xhepit, për detyrat funksionale të tyre gjatë procesit zgjedhor./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!