Kryetari i Komitetit të Inteligjencës së Senatit të SHBA-së, republikani, Richard Burr, ka dhënë dorëheqje nga detyra.
Vendimi i tij vjen në kohën kur po zhvillohet një hetim mbi një shitje të aksioneve, pak para rënies së tregjeve financiare, për shkak të pandemisë globale të koronavirusit. Ai po hetohet nga Byroja Federale e Hetimeve (FBI) nëse ka përdorur informacionet jopublike për të shitur aksionet dhe për të shmangur humbjet.
“Richard Burr kontaktoi me mua për të më informuar për vendimin e tij për t’u larguar si kryetar i Komitetit të Inteligjencës. Ne u pajtuam që ky vendim të ishte në interesin më të mirë të komitetit”, tha udhëheqësi i shumicës së Senatit, Mitch McConnell në një deklaratë më 14 maj.
Vendimi i tij erdhi pasi FBI i konfiskoi telefonin.
Të dhënat e Senatit tregojnë se Burr dhe gruaja e tij shitën midis afro 600,000 dhe 1.7 milionë dollarë aksione në fund të janarit deri nga mesi i shkurtit, pak para se tregjet financiare të fillonin të binin, nga frika e një krize ekonomike të shkaktuar nga përhapja e koronavirusit./abcnews.al

