Ermal Dredha ka komunikuar largimin dhe dorëheqjen e tij nga posti i kryebashkiakut të Vlorës. Dredha i ka dërguar një mesazh stafit të tij menjëherë sapo ka marrë vendimin për dorëheqje.
“Kënaqësi të ju shërbeja, edhe pse nuk arrita t’ju zgjidhja të gjitha hallet. Faleminderit dhe më ndjeni që po e lë këtë rrugëtim në mes, por sinqerisht për mua ka qenë privilegj dhe kënaqësi t’ju shërbeja. Ju uroj më të mirën juve dhe familjeve tuaja, me shumë respekt, Ermali.”-shprehet Dredha në mesazhin e tij.
Ermal Dredha drejtoi Bashkinë e Vlorës prej muajit korrik të vitit 2023, kur zëvendësoi Dritan Lelin.
Gjatë muajve të verës, në aksionet e ndërmarra nga qeveria, kryebashkiaku i Vlorës u vu në qendër të kritikave të kryeministrit Rama, për mënyrën e menaxhimit të bashkisë.
Kreu i qeverisë e kritikoi ashpër për hapësirat publike.
Edhe gjatë javës së kaluar, në takimin që kryeministri zhvilloi me Operatorin Kombëtar të Ujit, Rama tha se Ujësjellësi i Vlorës, që është në varësi të bashkisë, ka probleme të mëdha me menaxhimin.
Ashtu si gjithë bashkitë, edhe pushteti vendor i Vlorës u përfshi gjatë muajit korrik nga ndryshimet e drejtorëve të Bashkisë dhe të njësive administrative./abcnews.al

