Plumb pas koke, gjendet i vrarë e i hedhur në humnerë në Dajt biznesmeni që u zhduk para dy javësh

schedule12:10 - 6 Nëntor, 2021

schedule 12:10 - 6 Nëntor, 2021

DAJT- Është gjetur i vrarë me një plumb pas koke, Rruzhdi Hoxha, biznesmeni nga Kamza që ishte shpallur i zhdukur prej dy javësh.

ABC mëson se fillimisht në “Qafë Mollë” të Dajtit është gjetur xhupi i viktimës me njolla të mëdha gjaku. Disa metra më poshtë në një humnerë është gjetur edhe trupi i viktimës që sipas policisë i përket Rruzhdi Hoxhës.

Policia mësohet se ka kontaktuar fillimisht familjarët e biznesmenit të zhdukur ku i ka pyetur lidhur me veshjen që kishte Rruzhdiu para se të zhdukej. Veshja është e njëjtë me atë të viktimës së gjetur në Dajt.

“ABC” raportoi dje detajet lidhur me zhdukjen e Ruzhdi Hoxhës, që kishte në pronësi një fabrike inertesh në Kamzë. 43 vjeçari ishte baba i dy fëmijëve. Mbrëmjen e 24 tetorit, djali i tij ka denoncuar në komisariatin numër 5 largimin e të atit nga banesa. U ka thënë policëve se prej 3 ditësh nuk kishte mundur të komunikonte me të. Pas denoncimit, një grup oficerësh kanë zbuluar personat e fundit që kanë takuar dhe kanë parë 43 vjeçarin Hoxha. Njëri prej tyre rezultoi të ishte bashkëmoshatari i tij, Ferdinand Rrushi.

Para grupit hetimor ai tha se bashkë me një shok tjetër të tyre ndodheshin në një lokal në Kamzë duke konsumuar kafe. Sipas tij, Ruzhdiu i kishte kërkuar që ta çonte deri në Fushë Mëzezë dhe pasi e ka lënë atje, nuk kishte pasur më asnjë kontakt me të.

Por nga verifikimi që policia bëri ndaj këtij personi rezultoi të ishte në kërkim. Gjykata e Genovas në Itali e kishte dënuar për trafik droge. Rrushi u arrestua me qëllim ekstradimi, por njëkohësish është i dyshuar për rrëmbimin dhe zhdukjen e Ruzhdi Hoxhës.

Mjeti që përdori Rrushi është kapur nga kamerat edhe në zonën e Zallherrit. Pak ditë më parë, në komisariatin numër 4 një person ka denoncuar se ka gjetur në rrugë, pranë Shkollës së Bashkuar, një celular. Nga verifikimet dyshohet se ky aparat i përket biznesmenit Ruzhdi Hoxha. Hetuesit dyshojnë se celulari mund të jetë hedhur në këtë zonë, për të shpërqendruar hetimet e policisë.

Familjarët e Ruzhdi Hoxhës kanë pohuar se i afërmi i tyre ishte larguar të paktën edhe dy herë të tjera nga banesa, por ishte kthyer pas dy ditësh. Ngjarja është referuar në prokurori për veprën penale “Rrëmbimi ose mbajtja peng e personit”. /abcnews.al/