Plori: Kemi punuar për golin e Hakajt, Dinamon duhet t’a marrim shumë seriozisht

schedule19:35 - 30 Prill, 2022

schedule 19:35 - 30 Prill, 2022

Vllaznia mori një fitore minimale ndaj Skënderbeut në “Loro Boriçi” dhe tashmë “kërcënon” Partizanin dhe Kukësin për vendin e 3-të, pasi kuqeblutë kanë vetëm një pikë më pak se kundërshtarët e tyre.

Një fitore që kënaq Elvis Plorin, i cili pas ndeshjes shfaqet i lumtur për 3 pikët, ndërsa thekson se mungesa e Krymit u ndje në fushën e lojës.

Ndër të tjera tekniku i shkodranëve kërkoi nga lojtarët vlerësim maksimal për përballjen me Dinamon , pasi blutë tashmë mund t’iu prishin punë në objektivin e tyre.

“Pjesa e parë nuk ishte siç duhet, duhet të ndalemi tek kjo pjesë, lojtarët ishin si të përgjumur. Ndikoi dhe mungesa e Krymit, që lidh repartet. Lojtarët ndiejnë lodhje në këmbë, jemi në lojë edhe në kampionat, edhe në Kupë. Skënderbeu di të luajë futboll, erdhi në Shkodër për të luajtur pa presion, duke e qarkulluar mirë topin. Në pjesën e dytë ndryshuam edhe në anën tekniko-taktike, sepse duhet të rrezikonim më shumë dhe të ishim më konçizë”, theksoi fillimisht Plori.

Goli i Hakajt: “Nuk ishte rastësi goli i Hakajt, sepse kërkonim ndërhyrjen e anësorëve. Sikur u zgjua nga gjumi në pjesën e dytë skuadra, lojtarët janë profesionistë dhe duhet të arrijmë objektivin që është pjesëmarrja në kupat e Europës.”

Presioni i pikëve: “Them se i kemi mundësitë për të arritur objektivin, por nëse nuk ka entuziazëm, do të jetë e vështirë. Duhet të jemi të saktë në veprimet tona. Sidoqoftë, kemi ekuilibra në ndeshjet e fundit. Tani presioni i pikëve është shumë i madh, por them se kemi pasur stabilitet. Duhet të jemi seriozë dhe të mos u lëmë hapësira kundërshtarëve.”

Ndeshja me Dinamon: “Dinamo duhet marrë shumë seriozisht, ka lojtarë shumë të mirë, në këtë moment duhet automatikisht ta vlerësojmë ndeshjen.” /f.a/abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!