Vllaznia nuk shkoi më shumë se barazimi 0-0 me Partizanin në “Loro Boriçi”, në takimin e javës së 30-të të kampionatit shqiptar.
Barazimi i tretë rresht për shkodranët të cilët humbasin pikë të rëndësishme në garën për Europën.
Pas kësaj përballje trajneri Elvis Plori do të shprehej se ekipi i tij duhet te siguronte fitoren që rrjedhimisht do të thoshte vendi i 4-të në kampionat.
Barazim pa gola, Vllaznia kishte probleme në sulm. A jeni i kënaqur? “Jo nuk jam i kënaqur pasi po luanim në Shkodër dhe duhet ta shfrytëzonim faktorin fushë. Skuadrat kanë shumë ngjashmëri dhe kjo të bën që kur do të rrezikosh, njëkohësisht duhet të jesh më i matur. Patëm disa gabime në pasime, por edhe momente të mira, por po nuk godite në momentin e duhur nuk e merr dot fitoren.”
Mundësia e Europës nga Kupa dhe kampionati: “Duhet të jemi të kthjellët, ka edhe disa javë kampionat. Skuadra tregoi disa momente lodhje, por të them të drejtën problemi është te pjesa e sulmit sepse krijojmë shumë, por nuk shënojmë dot.” /f.a/abcnews.al