Plazhi i “fshehur” i Ndërnenasit në Fier nuk braktiset as këtë vit nga pushuesit tradicionalë

schedule18:18 - 16 Gusht, 2020

schedule 18:18 - 16 Gusht, 2020

Mes grykëderdhjes së Semanit dhe masivit pyjor të Karavastasë, është një plazh i fshehur që vizitohet gjerësisht, pavarësisht mangësive në infrastrukturë.

Ndërnenasi nuk gjendet në hartën e plazheve publike por ka gjithsesi pushuesit e tij tradicionalë.

2 kilometrat e fundit të rrugës drejt plazhit kalojnë përmes hapësirave ranore dhe peizazhit të veçantë, megjithatë për pushuesit e zakonshëm kjo është thjesht një rrugë e keqe.

“Këtu duhet të kishte ndriçim, rrugë, ujë. Po i bërë këto të japë edhe qiranë këtu”, thotë një pushues.

Pushuesit ditorë vijnë kryesisht nga zonat përreth. Të tjerët zhvendosen këtu për javë të tëra.

“Unë vij nga Tirana, rri një javë në çadra. S’ka dyqane, s’ka rregull”, thotë ai.

Maji Baze vjen çdo vit me bashkëshorten në Ndërnenas. Kjo çadër është shtëpia e tyre e pushimit. Marrin me vete ushqime e veshmbathje, deri te shpendët shtëpiakë.

“Unë vij që nga viti 1996 në këtë vend. Këtu jam si në shtëpinë time, kam marrë zogj. Rri një muaj”, thotë ai.

60 vjeçari i ka siguruar kushtet për një qëndrim të rehatshëm. Uji i pusit mjafton për nevojat e përditshme ndërsa gjithçka tjetër mund ta gjejë në fshatrat pranë plazhit, rruga drejt të cilëve është rehabilituar vitet e fundit.

Ndërnenasi ka një gjatësi prej 8 km. Plazhi është i rrethuar me pyje dhe këneta. Për shkak të mungesës së infrastrukturës zona nuk përfshihet në listën e destinacioneve publike për pushime.

Fillimisht plazhi frekuentohej nga  banorët e zonës për t’u njohur më pas edhe nga vizitorë të tjerë, vendas e të huaj. /abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!