Mund të ndodhte shumë më keq. Gjithsesi, asnjëherë nuk ka rivalë të lehtë në këtë nivel, dhe Shqipëria mësoi se do të luajë në fushën e Polonisë për të arritur finalen e plej ofit të Kupës së Botës.
Pra, ndaj një kundërshtari të cilin e kemi mundur bindshëm në Tiranë, por që na ka mposhtur gjithmonë në Varshavë, 4-1 kur trajner ishte Edi Reja, dhe 1-0 në ndeshjen e parë në stol të Silvinjos, dhe ndaj të cilit kemi bilancin dy fitore, tre barazime e plot 10 humbje.
Në finalen e mundshme, kuqezinjtë do të luanin sërish jashtë, ndaj fituesit të çiftit Ukrainë-Suedi. Pra, në Stokholm në rast se ndeshemi me suedezët, dhe në fushë asnjanëse, ndoshta në Poloni apo Hungari, nëse do të na qëllojnë ukrainasit.
Suedia mbetet kundërshtar I vështirë, dhe në ndeshjen e fundit u mundëm, 0-1 në miqësoren përpara Kampionatit Europian në Stokholm.Bilanci është një fitore, një barazim e 4 humbje, por mund të marrim zemër nga Kosova që e mundi dy herë këtë përfaqësuese në eliminatoret e Botërorit, 2-0 dhe 1-0.
Kundër Ukrainës jemi gjithashtu me bilanc katastrofë, një fitore, një barazim e gjashtë humbje. Na ngroh fakti se fituam sfidën e parafundit pikërisht në Budapest, ndonëse u mundëm në Tiranë më pas, me të njëjtin rezultat 1-2, për Ligën e Kombeve.
Kundërshtarët i mësoi edhe Kosova. Skuadra tjetër e shqiptarëve do të ndeshet në gjysmëfinale të plej ofit ndaj Sllovakisë jashtë fushe. Gjithsesi, shorti I dha një dhuratë ndërsa finalen e mundshme do ta luante në Prishtinë ndaj fituesit të çiftit Turqi-Rumani.
Ndeshjet gjysmëfinale do të luhen në 26 mars të vitit të ardhshëm, dhe finalet në 31 të po atij muaji. Në rrugëtimin A drejt Botërorit, Italia pret Irlandën e Veriut, dhe në rast suksesi ndeshte me fituesin e çiftit Uells-Bosnjë/Hercegovinë. Në rrugëtimin D, Danimarka pret Maqedoninë e Veriut, dhe fituesi I këtij dueli do të ndeshet me fituesin e çiftit tjetër, Çeki-Irlandë./abcnews.al

