Vettingu i pedagogëve është një nga kërkesat e studentëve, të cilët protestojnë për plotësimin e tyre prej dy javësh. Pikërisht për këtë çështje, pedagogu Edmond Çata në emisionin “Provokacija” paraqiti platformën e tij se si duhet arritur. Sipas tij ka dy hapa. I pari është Vettingu akademik dhe së dyti riformatimi i arsimit të lartë.
“Kam një platformë. Është i mundur. Duhen bërë dy gjëra sipas meje që janë të lidhura ngushtë me njëra tjetrën. Vettingu akademik është hapi i parë. Esenca e Vettingut akademik do jetë spastrimi i sistemit, siç do bëhet në sistemin e drejtësisë. Hapi i dytë. Riformatimi i të gjithë politikave të arsimit të lartë. Si do bëhet kjo? Zoti kryeministër nuk e bën dot vetë. Nuk e bën dot as me ministren aktuale të Arsimit. Atëherë hiqi, arsimin e lartë, universitetet, kërkimin shkencor. Ose krijo një portofol të ri. Ministër të ri pa portofol dhe një këshill kombëtar ku të gjithë personat që do jenë aty të mos jenë as nga universitetet shqiptare sepse janë pjesë e problemit. Të mos jenë as nga Ministria e Arsimit, as nga qeveria. Pra të jenë shqiptarë që kanë mbaruar jashtë edhe të huaj”, u shpreh Çata.
Më tej, Çata shtoi se qeveria ka një rol shumë të rëndësishëm në këtë proces. Duke qenë se ka buxhetin në dorë mund të punësojë ekspertë të huaj dhe shqiptarë që kanë studiuar jashtë vendit, të cilët mund të vihen në krye të një institucioni të rithemeluar.
“Kam menduar edhe ku do gjenden njerëzit. Ke gjithë ata shqiptarë të shkolluar jashtë. Qeveria shqiptare mund të luajë një rol shumë të madh për arsimin e lartë, jo ashtu siç e ka bërë tani. Qeveria ka buxhet. Ka para në dorë. Të punësojë ekspertë të huaj, shqiptarë që kanë mbaruar në universitetet perëndimore dhe që ka me tonelata. Ka një listë të tërë kur i akrediton diplomat. Dhe këta mund të vihen në krye të një institucioni të rithemeluar. Këtu Rama do duhet të ndryshojë tërësisht qëndrimin dhe politikat që ka bërë. Për mua politikat e Ramës në arsimin e lartë janë të dështuara sepse i futi në një thes universitetet publike dhe private”, u shpreh ai./abcnews.al