“Platforma Meta”, Nishani: Kërkesat kushtetuese por shumica do t’i refuzojë

schedule17:19 - 22 Maj, 2020

schedule 17:19 - 22 Maj, 2020

Ish-Presidenti i Republikës, Bujar Nishani e sheh pozitiv hapin e hedhur nga kreu i shtetit, Ilir Meta për hartimin e një platformë për të çuar deri në fund implementimin e reformës në drejtësi dhe asaj zgjedhore dhe instucionalizimin e grupit negociues për integrimin europian. Në një intervistë për ABC NEËS, Nishani shprehet i bindur se pavarësisht vullnetit të Metës, kryeministri Rama dhe maxhoranca e tij do ta refuzojnë platformën.

“Jam plotësisht dakord me propozimet e Presidentit të Republikës përsa i takon kolonës së reformës në drejtësi dhe asaj zgjedhore sepse janë strikte nënvizim dhe përsëritje dhe kërkesë për tu respektuar kushtetuta. Duke parë sjelljen e maxhorancës dhe sjelljen e personave që janë brenda institucioneve të reja të ngritura për implementimin e reformës në drejtësi dhe duke pasur në konsideratë kontekstin e përgjithshëm ku problemi është kapja e shtetit nga mafia, unë nuk besoj se do të jetë i mundur implementimi i këtyre pikave të parashikuara qoftë në plaformën e Presidentit të Republikës apo edhe në ato që janë detyrime kushtetuese dhe ligjore”, deklaron Nishani.

Mesazhet e forta të ambasadores amerikane, Yuri Kim për kapjen e reformës në drejtësi sipas ish-Presidentit lidhen drejtpërdrejtë me sjelljet e shumicës me institucionet e reja të drejtësisë.

“Reforma në sistemin e drejtësisë ka qenë, është dhe do të mbetet gjithmonë një prioritet që duhet të ndodhë në Shqipëri. Ajo që kemi parë deri sot, si jetësim i asaj që u miratua në korrikun e 2016 dhe më pas si u zbatuan këto ligje përmes mekanizmave që do të implementonin reformën në drejtësi, tregon që ka një devijim të vazhdueshëm nga ajo që ishte e parashikuar dhe konfirmuar, jo vetëm nga konsensusi parlamentar, kushtetuta e Shqipërisë, por edhe nga sygjerimet që erdhën nga Komisioni i Venecias. Besoj që adresimi që i është bërë nga ana e ambasodores ka qenë pikërisht për shkak të tentativave të maxhorancës për ta minuar procesin, për ta ndryshuar dhe deformuar procesin. Sepse kemi fakte dhe prova që është minuar ky proces nga ajo që ka parashikuar kushtetuta. Por ajo që është kryesorja në pikpamjen time ka të bëjë me faktin që përderisa politika, instucionet dhe shteti janë të kapura prej mafies, është terreni më i pamundur dhe më i papërshtatshëm për një reformism të sistemit të drejtësisë”, thekson ish-kreu i shtetit.

Fillimin e funksionimit të drejtësisë Nishani e sheh me largimin e mafies, hap që sipas tij do t’i hapte rrugë një referendum ku shqiptarët të zgjidhnin sistemin që duan.

“Vetëm mbi bazën e një terreni normal nga pikëpamja politike, institucionale dhe shoqërore mundet që të realizohet një reformë e mirëfilltë në sistemin e drejtësisë. Vetëm pasi të jetë rrëzuar mafia dhe të jetë larguar nga kapja e shtetit mundet që shqiptarët t’i drejtohen një procesi referendumi, një reforme të thellë kushtetuese ku përfshihen brenda edhe elemente të reformës në drejtësi. Pra për të pasur drejtpërdrejtë zërin e qytetarëve për të zgjedhur një model nga më efiçentët në vendet e Bashkimit Europian”, nënvizon Nishani.

Por a është e nevojshme një tryezë konsensuale mes drejtuesve më të lartë të politikës?

“Sot Edi Rama nuk ka as legjitimitet dhe as ligjshmëri të ulet një tryezë politike për zgjidhjen e krizës dhe kaosit anarkist që ka pushtetuar sot shtetin shqiptar dhe kapjen që shteti ka pësuar prej mafies. Edi Rama është autori dhe përgjegjësi kryesor që ka lejuar dhe ka bashkëpunuar për kapjen e shtetit nga ana e mafies”, përfundon ish-Presidenti.

Kur ndërkombëtarët kanë filluar të flasin pa doreza për atë që po ndodh me reformën në drejtësi, vullneti i palëve politike do të tregojë drejtë kujt ishin mesazhet e koduara të diplomates amerikane. /abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!