Humbja 2-5 përballë WBA ka trazuar ujërat te Chelsea. Ekipi londinez pësoi disfatën e parë me gjermanin Thomas Tuchel në pankinë. Dalja me karton të kuq e Thiago Silva pas gjysmë ore lojë, pati ndikimin e vet në humbjen e thellë.
Trajneri kritikoi lojtarët e tij në prononcimin e dhënë pas ndeshjes, teksa probleme ka pasur edhe në seancën stërvitore të ditës së sotme. The Telegraph raporton se ka ndodhur një debat me tonë të rënda mes Antonio Rudiger dhe Kepa Arrizabalaga.
Të dy lojtarët përdorën duart mes tyre, teksa trajneri Tuchel vendosi të përjashtojë nga stërvitja Rudiger, bashkëpatriotin e tij. Një ngjarje e panevojshme pak ditë përpara duelit të parë çerekfinal të Champions League.
Goglat vendosën “Blutë e Londrës” kundër Portos. Sfida e parë për një biletë në katër ekipet më të mira të turneut më të rëndësishëm për klube, do të zhvillohet të mërkurën në mbrëmje në Portugali. /abcnews.al