Plas sherri në Gjirokastër, kryetari i LSI i shkon Çuçit si “qytetar” në takimin elektoral

schedule17:40 - 8 Nëntor, 2020

schedule 17:40 - 8 Nëntor, 2020

Gjatë një vizite elektorale me banorët e fshatit në Izvor të Gjirokastrës, ministri i Bujqësisë Bledi Çuçi ka pasur një përplasje verbale me kreun e LSI Yzeir Malkaj.

Gazetari Orgest Sako bën të ditur për abcnews.al se kryetari i LSI-së në fshatin Izvor, ka shkuar në takim si qytetar dhe ka marrë fjalën për të shprehur opinionet e tij në lidhje me situatën në fshat.

Në atë moment ka ndërhyrë kryetari i Bashkisë Memaliaj, duke i hequr fjalën dhe e ka cilësuar si të “LSI-së”. Kjo ka çuar në nisjen e debatit verbal mes ministrit dhe eksponentit të LSI, Yzeir Malkaj.

Në një reagim për abcnews.al vetë Malkaj ka konfirmuar përplasjen me ministrin, ndërsa thotë se  se i kanë mohuar fjalën në lidhje me një çështje për rrugën e zonës.

“Po është e vërtetë, u zhvillua një takim me banorët e zonës për problematikat e fshatit dhe unë pyeta nëse ishte mbledhje partie apo mes banorësh. Mua nuk mu dha e drejta për diskutimin e rrugës që është bërë dhe u inaugurua, një rruge pa cilësi. Kryetari i Bashkisë Memaliaj u ngrit dhe tha për mua se nuk kisha të drejtën që të flisja ashtu pasi isha kryetari i LSI-së dhe më hoqën fjalën. Aty debatuam”, shprehet ai. g.v/abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!