Planifikonte sulme terroriste, arrestohet 22 vjeçari simpatizant i Bin Laden

schedule22:30 - 7 Qershor, 2019

schedule 22:30 - 7 Qershor, 2019

Autoritetet amerikane kanë shmangur një sulm terrorist që do të kryhej në zonën e njohur TAJMS SKUER të Nju Jorkut. Agjentët federalë kanë vënë në pranga një 22-vjeçar që fillimisht do të sulmonte me armë zjarri dhe më pas do të hidhej në erë me eksploziv.

Një person që simpatizonte Bin Laden dhe po planifikonte një sulm në zonën Tajms Skuer të Nju Jorkut është vënë në pranga nga policia amerikane. 22-vjeçari Ashikul Alam, i cili po planifikonte të vriste oficerë të policisë që veprojnë në një nga zonat më të frekuentuara të Nju Jorkut, akuzohet për posedim ilegal të armëve të zjarrit, përmes të cilave synonte të realizonte planin e tij.

22-vjeçari u arrestua pasi kishte marrë dy pistoleta gjysmë-automatike të tipit “Glok 19”, me numrin e serisë të fshirë – bënë të ditur autoritetet federale të Bruklinit. Gjatë takimeve me një agjent të fshehtë federal, Alam kishte shprehur gjithashtu mbështetje për sulmet e 11 shtatorit në Nju Jork, si dhe për militantët e grupit terrorist të Shtetit Islamik.

Sipas autoriteteve amerikane, ai po planifikonte të vishte edhe një jelek me eksploziv gjatë sulmit. Tajms Skuer, që vizitohet çdo vit nga miliona turistë, shpesh herë quhet kryqëzimi i botës dhe është vënë në shënjestër të paktën dy herë në vitet e fundit, pavarësisht pranisë së theksuar të policisë.

Më 1 maj të vitit 2010, policia shmangu një atentat me aut-bombë, duke çaktivizuar një pajisje artizanale me fishekzjarre dhe cisterna gazi propan./ABC News Albania 24/7

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!