Planifikoi një sulm terrorist në koncertin e Taylor Swift, arrestohet i dyshuari i tretë

schedule16:58 - 9 Gusht, 2024

schedule 16:58 - 9 Gusht, 2024

Policia e Vjenës arrestoi një person të tretë me dyshimin për planifikimin e një sulmi terrorist në koncertin e këngëtares amerikane Taylor Swift në kryeqytetin austriak dhe autoritetet besojnë se komploti është frymëzuar nga Shteti Islamik dhe Al Kaeda, tha ministri i Brendshëm austriak Gerhard Karner.

Ai theksoi se 18-vjeçari u arrestua të enjten mbrëma në Vjenë pasi ishte në kontakt me të dyshuarin kryesor, raporton CBS News.

Autoritetet austriake arrestuan më parë një 19-vjeçar nga Maqedonia e Veriut dhe një 18-vjeçar irakian, ndërsa një 15-vjeçar u la i lirë pas marrjes në pyetje.

Hetuesit gjetën materiale për prodhimin e bombave në shtëpitë e njërit prej të dyshuarve, gjë që i shtyu ata të dyshonin se plani i sulmit ishte frymëzuar nga grupet terroriste Shteti Islamik dhe Al Kaeda.

Zyrtarët pohojnë se njëri nga të dyshuarit pranoi se kishte planifikuar të “vriste sa më shumë njerëz jashtë vendit të koncertit”.

Swift ishte dashur të këndonte në stadiumin “Ernst Happel” të Vjenës të enjten, të premten dhe të shtunën, por koncertet u anuluan./abcnews.al