FSHF ka zyrtarizuar planin për përballjen Vllaznia-Besëlidhja dhe ka një ndryshim nga kalendari fillestar. Ishte menduar të luhej me 5 ose 6 gusht, por të dyja skuadrat do të zbresin në fushë ditën e diel dhe të matin forcat, për të përcaktuar skuadrën e 10-të të Superiores për sezonin e ardhshëm.
Në fakt duket e pakuptimtë kjo datë, për shkak se në të njëjtën ditë, një orë më pas, prej orës 20:00, luhet edhe finalja e Kupës së Shqipërisë në “Air Albania Stadium”.
NJOFTIMI I FSHF – Do të luhet të dielën (2 gusht) në stadiumin “Loro Boriçi” ndeshja play-off KF Vllaznia-Besëlidhja. Sfida, që do të nisë në ora 19:00, do të përcaktojë skuadrën që do të luajë në Kategorinë Superiore sezonin e ardhshëm.
KF Vllaznia vjen në këtë përballje pasi u rendit në vendin e 8-të të Kategorisë Superiore në edicionin 2019/2020 me 46 pikë të grumbulluara në 36 javë.
Ndërsa Besëlidhja u rendit e dyta në Grupin A të Kategorisë së Parë dhe u përball të mërkurën në ndeshjen e parë play-off me KF Pogradecin, që e përfundoi sezonin në vendin e dytë të Grupit B. Ky takim u fitua nga skuadra lezhjane me rezultatin 3-2.
Sakaq, janë dhënë edhe verdiktet e tjera të edicionit 2019/20 në Kategorinë Superiore. KS Luftëtari dhe Flamurtari FC zbresin në Kategorinë e Parë sezonin e ardhshëm, ndërsa FK Apolonia dhe KS Kastrioti ngjiten në Kategorinë Superiore”, shkruan FSHF. /abcnews.al