Mund të ketë shpenzime dhe të realizohet me vështirësi, por planet po bëhen. Klubet e Premier Ligës angleze po diskutojnë për të kthyer tifozët në stadiume sa më shpejt që të jetë e mundur, me ndihmën e një tuneli sterilizues, apo tuneli sanitar.
Mediat britanike njoftojnë se klubet po bisedojnë me një kompani të specializuar, që do të vendosë në hyrjet e stadiumeve, një pajisje si ato që vendosen në aeroporte, për të zhdukur koronavirusin në vetëm pak sekonda.
Përveç kësaj, tifozët do të jenë të detyruar të vendosin maska në fytyrë dhe kjo procedurë e dyfishtë mendohet se do të jetë e suksesshme ndaj epidemisë. Premier Liga e vlerëson si shumë të rëndësishme praninë e tifozëve për ndeshje, për të siguruar të ardhurat e përhershme dhe shumë të rëndësishme, që do të siguronin respektimin e kontratave të larta për futbollistët dhe stafin teknik, përveçse do të ndihmonin në krijimin e atmosferës në stadiume.
Në Itali, ndërkaq, po mendohet gjithashtu për kthimin e publikut nëpër impiantet e futbollit. Mediat vendase i referohen fjalëve të përfaqësueses së Ministrisë së Shëndetësisë, Sandra Zampa, e cila gjykon se ekziston mundësia për ta bërë diçka të tillë.
“Mendoj se nëse studiojmë metodën dhe formën e duhur, kthimi i tifozëve në stadium do të jetë i mundshëm në korrik, – u shpreh ajo, – gjithçka do të varet nga distancimi fizik dhe nga kontrolli i temperaturës. Që nga mesi i qershorit po çelim teatrot dhe kinematë e hapura, ndaj kjo mund të ndodhë edhe me tifozët”. /abcnews.al