Plani për emigrantët nuk mbështetet nga qeveria e re britanike, Ruanda: Marrëveshja nuk parashikon kthimin e parave

schedule22:34 - 9 Korrik, 2024

schedule 22:34 - 9 Korrik, 2024

Ruanda paralajmëroi të martën se marrëveshja e diskutueshme me Mbretërinë e Bashkuar për deportimin e azilkërkuesve, të cilën qeveria e re britanike nuk e mbështet, nuk parashikon kthimin e fondeve që tashmë i janë dhënë nga Londra.

“Marrëveshja që nënshkruam nuk thoshte se ne do të duhej të kthenim para,” shpjegoi zëvendës zëdhënësi i qeverisë Alain Mukuralida, duke folur në televizionin shtetëror të Ruandës.

Të shtunën, dy ditë pas fitores dërrmuese të partisë së tij në zgjedhjet e përgjithshme, kryeministri i ri Keir Starmer njoftoi se do të anulonte planin e qeverisë Sunak për të dëbuar azilkërkuesit dhe migrantët e parregullt në Ruandë. Udhëheqësi laburist tha se plani i hartuar nga qeveria e mëparshme konservatore ishte “i vdekur”.

Megjithatë, Londra tashmë i ka dhënë Kigalit 240 milionë funte sipas planit që kur u njoftua nga ish-kryeministri Boris Johnson në prill 2022. Gjykata e Lartë e Mbretërisë së Bashkuar vendosi nëntorin e kaluar se projektligji nuk ishte në përputhje me ligjin ndërkombëtar. Por në prill Dhoma e Komunave e miratoi atë, pas një konfrontimi të pafund me Dhomën e Lordëve, e cila u shfaq e kujdesshme ndaj planit.

OKB-ja dhe shumë kisha të krishtera i kishin bërë thirrje Britanisë që të mos e zbatonte atë./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!