Plani me 9 pika, Bujar Osmani: Nxit dialogun mes Kosovës dhe Serbisë

schedule20:25 - 2 Korrik, 2023

schedule 20:25 - 2 Korrik, 2023

Situata në veri të Kosovës dhe marrëdhëniet mes Beogradit dhe Prishtinës ishte në fokus të takimit të Ministrit të Punëve të Jashtme të Maqedonisë së Veriut, Bujar Osmani, me shefat e misioneve të OSBE-së në Beograd, Prishtinë dhe Maqedoninë e Veriut, Jan Bratu, Michael Davenport dhe Kilian Vala.

“Ishte inkurajuese të dëgjoja mendimet e tyre për perspektivat e mundshme të planit 9-pikësh të deeskalimit që e prezantova si kryetar i OSBE-së”, ka thënë Osmani në një postim në rrjetet sociale.

Ai thotë se ky plan nxit një atmosferë dialogu dhe bashkëpunimi mes Kosovës dhe Serbisë.

Në të njëjtën kohë, Osmani para ambasadorëve të OSBE-së i prezantoi prioritetet gjatë kryesimit të organizatës, të cilat, sipas tij, fokusohen në Evropën Juglindore me qëllim të ndërtimit të besimit, luftimit të korrupsionit dhe veprimit klimatik.

“Situata në veri të Kosovës dhe marrëdhëniet mes Serbisë dhe Kosovës ishin në fokus të takimit të sotëm me shefat e misioneve të OSBE-së në Serbi, Kosovë dhe Shkup, Jan Bratu, Majkëll Devenport dhe Kilian Vall. Ishte inkurajuese të dëgjosh mendimet e tyre mbi perspektivat e mundshme të planit 9-pikësh për deeskalimin e situatës që paraqita si Kryesues i OSBE-së. Udhërrëfyesi i ofruar nxit atmosferë dialogu dhe bashkëpunimi.

Krahas kësaj, pata mundësinë të prezantoj prioritetet e Kryesimit tonë të OSBE-së të fokusuar në Europën Juglindore që synojnë forcimin e besimit, luftën kundër korrupsionit dhe veprimin klimatik. Pajtimi është i një rëndësie të veçantë si një hap kyç drejt arritjes së paqes së qëndrueshme dhe bashkëpunimit në rajon. Falënderim i veçantë për ambasadorët Bratu, Davenport dhe Vall për punën dhe përkushtimin e tyre shumë të çmuar në përpjekjet për stabilitet dhe prosperitet”, shkroi Osmani në Facebook.

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!