Deklarata e presidentit amerikan Joe Biden se do të kandidojë për një mandat të dytë në drejtim të vendit, pavarësisht moshës, ka bllokuar kampin e kandidatëve potencialë demokratë për Shtëpinë e Bardhë për 2024-ën.
Mediat amerikane shkruajnë se deklarata e Biden gjatë konferencës së tij të parë presidenciale, mund të vonojë nisjen e zgjedhjeve paraprake brenda partisë. Analistë të ndryshëm kanë dyshime për sa i përket vullnetit të Biden për t’u kandiduar për një mandat të dytë katër vjeçar. Përkundrazi deklarata e tij shërben për të mos u prezantuar si president që do të qëndrojë në Shtëpinë e Bardhë vetëm këto katër vite.
Përfaqësues të rinj në moshë, të partisë demokratike, përfshirë zv/presidenten Kamala Harris, po përpiqen të bëjnë rrugën gati për në Shtëpinë e Bardhë.
Skepticizmi për sa i përket planeve të Biden qarkullon sidomos mes demokratëve. Pjesa më e madhe e tyre thonë se Biden duhet marrë seriozisht në atë që thotë,por katër vite janë një periudhë e gjatë kohore.
Pjesëmarrja e mundshme e Biden në zgjedhjet paraprake demokratike për 2024-ën do të ndryshonte dinamikën e garës për lidershipin demokrat: nëse kreu aktual i Shtëpisë së Bardhë do të vendosë të kandidojë sërish, zgjedhjet e ardhshme presidenciale do të jenë një referendum për punën e bërë nga presidenca e tij./abcnews.al