Plan i mirëmenduar në detaje, si hajdutët hynë dhe vodhën sendet e Tirana U21

schedule09:57 - 24 Mars, 2021

schedule 09:57 - 24 Mars, 2021

Ditën e djeshme në Lezhë, kur Tirana U21 ndeshej me Shënkollin në llogari të Kategorisë Superiore U21 ka ndodhur një rast i paprecedentë dhe i turpshëm. Lojtarëve të Tiranës, teksa ishin në fushë, u janë vjedhur një pjesë e madhe e sendeve personale.

Panorama Sport zbulon se gjithçka ka ndodhur në pjesën e parë në ndeshjes. Hajdutët kanë qenë të përgatitur në maksimumin dhe e kanë mirëmenduar planin e kësaj vjedhje. Ata para se të hynin janë kujdesur për të fikur dritat e kompleksit sportiv, në mënyrë që kamerat të dilnin jashtë funksionit.

Më pas ata kanë shqyer derën e dhomave të zhveshjes së Tiranës dhe kanë vjedhur kryesisht sende personale të bardhebluve. Mësohet se janë vjedhur 6 celularë Iphone, prodhime të fundit të kompanisë së njohur dhe tuta, portofola e sende të tjerë me vlerë.

Mes sendeve të vjedhur është edhe një portofol i një prej lojtarëve të Tiranës, i cili kishte rreth 1 milionë lekë të vjetra brenda. Lojtarët dhe trajneri i Tiranës, Arbër Abilaliaj, vjedhjen e kanë vënë re vetëm në fund të ndeshjes, kur po bëheshin gati për t’u larguar dhe kanë njoftuar menjëherë policinë. /abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!