Plagosja në Lushnje, dyshohet për konflikte të vjetra

schedule09:12 - 25 Nëntor, 2018

schedule 09:12 - 25 Nëntor, 2018

Shënjestra e atentatit të një nate më parë në Lushnje është larguar nga ambientet spitalore. Ai është shoqëruar me policë, por nuk dihet se ku u strehua më pas. Policia e Lushnjes ka shoqëruar disa persona, por nuk ka kapur autorët.  

Saimir Taullahu është larguar nga spitali dy orë pas atentatit. Mjekët në Lushnje konfirmojnë se 47-vjeçari kishte një plage në kokë dhe mori mjekimin. Me dëshirën e tij, ai doli nga pavioni dhe për këtë është regjistruar edhe në kartelë.

Nuk dihet vendndodhja e tij, por në momentin që doli nga spitali mësohet se është shoqëruar me punonjës policie.  Atentati ndodhi në vendin e quajtur “Rotondo e Plugut”, aty ku në pronësi të tij është një karburant dhe një lokal. Besohet se autorët ishin me motor dhe qëlluan tre herë me automatik.

Siç shikoni dhe nga pamjet, plumbat kanë depërtuar nga xhamat në brendësi të ambienteve. Por Taullahu sipas policisë i ka parë autorët dhe është mbrojtur me shpejtësi. Nuk dihet nëse mes tyre pati shkëmbim zjarri, por autorët nuk vonuan në veprim. Grupi hetimor po punon për zbardhjen e plotë të ngjarjes si edhe identifikimin e autorëve.
Në hyrje- daljet e qytetit u ngritën pika të shumta kontrolli me qëllim kapjen e autorëve të dyshuar. Disa persona u shoqëruan gjatë natës, por asnjë prej tyre nuk rezultoi të kishte dijeni për ngjarjen. Saimir Taullau është një emër i njohur për policinë.

Ai dyshohet si porositës i atentatit të ndodhur në Tetor të vitit të shkuar në Lushnje, ku shpëtoi nipi i Aldo Bares, Xhulio Shkurti, por mbetën të vrarë Jurgen Hoxha dhe Zamir Latifi. Po ashtu vëllai i Saimir Taullaut është vrarë në vitin 2005. Si autorë të kësaj vrasjeje janë dyshuar anëtarë të bandës së Aldo Bares. Ka dyshime se atentati ndaj Saimir Taullaut mund të jetë kryer për shkak të konflikteve të vjetra./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!