Plagosja e të moshuarit gjatë operacionit në Lushnjë, asnjë i dyshuar

schedule13:11 - 25 Shtator, 2018

schedule 13:11 - 25 Shtator, 2018

77 vjeçari Haxhi Lika, i cili u plagos në kokë gjatë një operacioni të RENEA-s në Remas të Lushnjes ndodhet jashtë rrezikut për jetën. Por prokuroria ende nuk ka një autor të dyshuar se kush qëlloi dhe pse qëlloi të moshuarin. Policia e Shtetit nuk ka dërguar ende një raport mbi veprimet e RENEA-s gjatë operacionit të 14 shtatorit.

Prokuroria e Lushnjes nuk ka asnjë autor të dyshuar për plagosjen në kokë të 77 vjeçarit në aksionin e RENEA-s. Ndonëse kanë nisur hetimet për dekonspirim në gjarjen e 14 shtatorit në Remas, mbeten të paqarta rrethanat përse dhe nga kush u qëllua brenda banesës se Haxhi Likës. Bazuar nga të dhënat në rrugë operative, prokuroria është e bindur se një nga të shumë kërkuarit për vrasje ka qenë i strehuar në shtëpinë e fisit Lika. Sipas informacioneve të organit të akuzës, Laert Haxhiu i kërkuar për vrasjen e dy personave një vit më parë në qendër të qytetit, ka qenë natën e aksionit në Remas, ku dhe u plagos i moshuari Lika.

Aktualisht ai është jashtë rrezikut për jetën, por veprimet e grupit policor mbrëmjen e aksionit janë të pazbardhura. Prokuroria është në pritje të raportit të Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë së Shtetit lidhur me ngjarjen. Aktet nuk janë përcjellë akoma, ndaj për momentin në fokus të hetimit mbetet dekonspirimi.

Laert Haxhiu dhe Ergest Bilbili janë dy të shumë kërkuar nga Policia e Shtetit për vrasjen e Zamir Latifit dhe Jurgert Hoxhës në tetor të vitit 2017. Ata i shpëtuan rrethimit të Reneas mëngjesin e dt 14 shtator të këtij viti në fshatin Remas, ngjarje e cila përfundoi me plagosjen e kryefamiljarit./abcnews.al