Plagosja e 16-vjeçarit në Kamëz/ Shoku i të miturit ngacmoi të dashurën e autorit: Prangat 18-vjeçarit dhe bashkëpunëtorit

schedule11:34 - 20 Tetor, 2023

schedule 11:34 - 20 Tetor, 2023

Detaje të reja janë zbardhur nga ngjarja e rëndë e ndodhur në Kamëz dy ditë më parë ku mbeti i plagosur një 16 vjeçar.

Abcnews mëson se një shoku i 16 vjeçarit të plagosur ka ngacmuar të dashurën e autorit Armir Hasaj, 18 vjec.

Armir Hasaj

Pas këtij episodi të rinjtë janë takuar për tu sqaruar në rrugën OSBE në Kamëz por konflikti ka agravuar. Armir Hasaj i cili është ndihmuar edhe nga shoku i tij Xhorxh Cuni ka marrë armën Kallashnikov në bagazhin e makinës dhe ka qëlluar në këmbë 16 vjeçarin.

Në kuadër të operacionit policor të koduar “Catch” u arrestuan shtetasit autori Armir Hasaj dhe Xhorxh Çuni.

Ndërkohë mësohet se 16 vjeçari është në gjendje të rëndë për shkak se plumbi i kallashnikovit i ka shkaktuar dëmtime të pa rikuperueshme në gju.

Njoftimi i policisë:

DVP Tiranë/Finalizohet nga Sektori për Hetimin e Krimeve të Rënda ndaj Personit dhe Pronës, në bashkëpunim me Komisariatin e Policisë Nr. 5, operacioni policor i koduar “Catch”.

Kapet dhe vihet në pranga 18-vjeçari që u shpall në kërkim 2 ditë më parë, pasi tentoi të vriste me armë zjarri, një 16-vjeçar.

Identifikohet, kapet dhe vihet në pranga një shtetas tjetër, bashkëpunëtor i 18-vjeçarit, në këtë ngjarje.

Sekuestrohet automjeti që 2 autorët e dyshuar kanë përdorur për t’u larguar nga vendi i ngjarjes.

Në vijim të veprimeve hetimore të kryera për zbardhjen dhe dokumentimin e plotë të ngjarjes së ndodhur më datë 18.10.2023, rreth orës 16:10, në rrugën “OSBE”, Kamëz, ku u tentua të vritej me armë zjarri një 16-vjeçar, specialistët e Sektorit për Hetimin e Krimeve të Rënda ndaj Personit dhe Pronës, në bashkëpunim me Komisariatin e Policisë Nr. 5, kanë organizuar dhe finalizuar operacionin policor të koduar “Catch”.

Si rezultat i këtij operacioni i bë kapja dhe ndalimi i shtetasve: Armir Hasaj, 18 vjeç dhe Xhorxh Çuni, 19 vjeç, të dy banues në Kamëz.

Nga veprimet hetimore dyshohet se këta 2 shtetas, më datë 18.10.2023, pas një konflikti të çastit për motive të dobëta, kanë tentuar të vrasin me armë zjarri 16-vjeçarin, i cili ndodhet në spital, në kujdesin e mjekëve.

Në cilësinë e provës materiale u sekuestrua automjeti me të cilin 2 autorët e dyshuar janë larguar nga vendi i ngjarjes.

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithsëm Tiranë, për veprime të mëtejshme./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!