Plagosi me dy plumba në bark 44-vjeçarin lushnjar, identifikohet pas 6 muajsh autori

schedule11:49 - 28 Shtator, 2022

schedule 11:49 - 28 Shtator, 2022

Policia e Lushnjës ka identifikuar pas 6 muajsh autorin e dyshuar të plagosjes së 44-vjeçarit Kujtim Meta pasditen e 20 prillit.

Meta mori dy plumba në bark teksa ishte duke qëndruar në një lokal, ndërsa autori ishte në këmbë.

Policia njoftoi sot se “ka zbardhur dhe dokumentuar me prova ligjore, ngjarjen e ndodhur më datë 20.04.2022, në Lushnjë, ku mbeti i plagosur me armë zjarri shtetasi K. M.”

Autori i dyshuar është identifikuar si 29-vjeçari D. Sh, banues në Lushnjë, i cili u shpall në kërkim.

Njoftimi i policisë

Lushnjë- Zbardhet dhe dokumentohet me prova ligjore, ngjarja e ndodhur më datë 20.04.2022, në Lushnjë, ku mbeti i plagosur me armë zjarri shtetasi K. M.

Identifikohet dhe shpallet në kërkim autori i dyshuar.

Pas një pune të mirëfilltë hetimore, nga Seksioni për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Lushnjë, në bashkëpunim me Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Lushnjë, është bërë e mundur zbardhja dhe dokumentimi ligjor i ngjarjes së ndodhur më datë 20.04.2022, në lagjen “Skënder Libohova”, Lushnjë, ku mbeti i plagosur me armë zjarri shtetasi K. M., 44 vjeç.

Si rezultat i hetimeve të thelluara dhe provave të grumbulluara në lidhje me këtë ngjarje, u bë identifikimi i autorit të dyshuar, shtetasit D. Sh., 29 vjeç, banues në Lushnjë, i cili u shpall në kërkim.

Për 29-vjeçarin, pas identifikimit nga ana e Policisë, në bashkëpunim me Prokurorinë, bazuar në provat e siguruara, Gjykata e Rrethit Gjyqësor Lushnjë, caktoi masën e sigurisë “Arrest në burg”, në mungesë, për veprat penale “Vrasja me paramendim”, mbetur në tentativë dhe “Mbajtja pa leje e armëve dhe municionit luftarak”.

Vijon puna për kapjen e shtetasit D. Sh. dhe vënien e tij përpara përgjegjësisë penale.

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme.

/Abcnews.al/ 

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!