Kryediplomati i BE-së tha se Rusia duhet të dëgjojë nga ministrat në një takim të ardhshëm të organit më të madh rajonal të sigurisë në botë se pse po “dënohet dhe izolohet”.
Ministrat nga vendet anëtare të Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim në Europë (OSBE) do të mblidhen të enjten dhe të premten në Shkup për të diskutuar të ardhmen e organizatës si dhe luftën në Ukrainë.
Ukraina, si dhe Estonia, Letonia, Lituania dhe Polonia kanë thënë të gjithë se do të bojkotojnë konferencën vjetore pas ftesës së ministrit të Jashtëm rus Sergei Lavrov, i cili tha se planifikon të marrë pjesë.
Josep Borrell tha se ai e kuptonte shqetësimin e disa shteteve, por përshëndeti vendimin e Maqedonisë së Veriut për të lejuar pjesëmarrjen e Lavrov, duke thënë se përputhet me “objektivin e përbashkët për të mbajtur gjallë multilateralizmin”.
“Do të jetë një rast i mirë që Lavrov të dëgjojë drejtpërdrejt nga pjesëmarrësit në këtë takim pse Rusia po dënohet dhe izolohet”, u tha ai gazetarëve pas takimit me kryeministrin e Maqedonisë së Veriut Dimitar Kovacevski.
Borrell shtoi se Lavrov më pas do të jetë në gjendje të kthehet në Kremlin dhe të raportojë “se Bashkimi Evuopian dhe OSBE-ja mbeten të bashkuar kundër sjelljen agresive dhe të paligjshme të Rusisë”.
E krijuar në vitin 1975 si një forum për dialogun midis blloqeve lindore dhe perëndimore, organizata, pjesë e së cilës janë Rusia dhe Ukraina ka funksionuar me mjete shtesë buxhetore, por tensionet janë të larta.
Pas muajsh negociatash, Malta ra dakord të hënën të merrte presidencën e radhës të organizatës vitin e ardhshëm, në vend të Estonisë anëtare të NATO-s, të cilën Rusia e refuzoi haptazi.
Vendimi pritet të ratifikohet gjatë takimit dyditor ministror dhe të shmangë një kolaps të organit pan-evropian të sigurisë.
/abcnews.al